Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes rrjeteve sociale disa ndryshime të reja në kabinetin qeveritar.
Rama ka larguar Gent Cakajn dhe ka emëruar Olta Xhaçkën si ministre të Jashtme, ndërsa postin e saj në ministrinë e Mbrojtjes e merr Niko Peleshi.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.
Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e Mbrojtjes“, shkruan Rama.