“Citigroup” ka emëruar për herë të parë një grua si shefe ekzekutive të bankës së Wall Street-it.
Britanikja Jane Fraser, presidentja aktuale dhe kryetarja e ndarjes globale të konsumatorëve, do të bëhet e para femër që merr këtë post kur shefi aktual Michael Corbat të dalë në pension në muajin shkurt. Ai do largohet pas 37 vitesh nga banka e Wall Street, tetë prej të cilave i ka kaluar si shef ekzekutiv.
Zonja Fraser e lindur në Skoci ka punuar në ‘Citigroup’ për 16 vjet, duke shërbyer si presidente që nga viti 2019. Ajo mbikëqyr biznesin në 19 vende të botës, ndërsa më parë ishte e fokusuar vetëm në Amerikën Latine.
Një tjetër bankë e rëndësishme në Amerikë, Wells Fargo, tentoi ta merrte së fundmi Fraser si shefe ekzekutive, por duket se destinacioni i saj ishte Wall Street.
Kryetari i bordit të drejtorëve të ‘Citigroup’, John Dugan, tha se Fraser do ta çonte bankën “në një tjetër nivel”.