Konsumatorët holandezë kanë zgjedhur një mënyrë origjinale për të luftuar ndryshimet e klimës.
Ata, po i drejtohen gjithnjë e më shumë, fermave kolektive. Në Boxtel, në jug të vendit, një fermë ushqen me qindra banorë lokalë dhe nuk është aspak një fermë tradicionale.
Ajo është një fermë në pronësinë dhe menaxhimin e një kooperative prej qindra konsumatorësh lokalë, dhe kjo është risia më e fundit në një vend të angazhuar në një luftë për mbijetesë kundër ndryshimeve të klimës.
Pas një pagese fillestare prej 2 mijë eurosh, banorët lokalë mund të paguajnë më pas kuota të vogla javore, rreth 10 euro për person, dhe në këmbim ata marrin gjithë ushqimin që duan, duke evituar shpërdorimin dhe duke i mbajtur gjërat lokale dhe sezonale.
“Qëllimi kryesor i anëtarëve është që të konsumojnë produkte natyrale, të prodhuara pranë shtëpisë së tyre, në një mënyrë më miqësore me ambjentin. Dhe njerëzit po fillojnë të shohin ndryshimin”, është shprehur një qytetar.
Janë rreth 200 familje që vendosin se çfarë do të prodhojë ferma dhe çfarë do të konsumojnë më pas ato. Është punësuar një fermer, që kujdeset për kafshët, për mishin dhe vezët dhe për rritjen e dhjetëra llojeve fruta dhe perime.
Me 15 lopë, 20 derra dhe 500 pula, ferma shtrihet në rreth 20 hektarë tokë dhe rrit apo prodhon atë që vendoset kolektivisht.