Bashkimi Europian vendos një objektiv të ri ambicioz për reduktimin e ndryshimeve klimatike dhe zotohet ta bëjë atë, ligjërisht të detyrueshëm.
Sipas një ujdie të dakordësuar mes shteteve anëtare dhe Parlamentit Europian, blloku do të reduktojë emetimet e gazrave me efekt seri me të paktën 55 për qind, krahasuar me nivelet e vitit 1990. PE kishte kërkuar një reduktim edhe më të madh, prej 60 për qind.
“Është vërtet një moment historik. Edhe koha kur arrihet marrëveshja është e favorshme, pasi përcjellim një mesazh të rëndësishëm në prag të samitit BE-SHBA. Fakti që ne kemi një ligj për klimën, i tregon botës atë që ne po bëjmë lidhur me çështjen”, u shpreh raportuesja e PE për klimën.
Presidentja e KE, Ursula Von der Leyen, e mirëpriti marrëveshjen.
“Angazhimi ynë politik për t’u bërë kontinenti i parë neutral sa i përket klimës, deri në vitin 2050 bëhet edhe angazhim ligjor.”
Ujdia vjen pak ditë para një samiti virtual të liderëve botërorë këtë javë, ku SHBA-ja pritet të njoftojë objektivët e vet për 2030-n. Presidenti Biden, i cili do të kryesojë takimin, ju rikthye marrëveshjes së Parisit për klimën që në ditën e tij të parë në detyrë, dhe është angazhuar se do të arrijë në zero emetime të karbonit deri ne 2050-n.