Për më shumë se 30 vjet, familja Morettino ishte përpjekur të prodhonte kafen e saj në një copë tokë të vogël në Siçili. Dhe për 30 vjet ata kishin dështuar.
Por pranverën e kaluar 66 fidanë prodhuan rreth 30 kg kafe, në një zhvillim që mund ta kthejë ishullin italian në plantacionin më verior të kafesë në botë.
Ekspertët thonë se urgjenca klimatike po tropikalizon në mënyrë të pariparueshme bujqësinë mesdhetare të Siçilisë, ku në gusht një stacion monitorimi në qytetin juglindor të Sirakuzës regjistroi një temperaturë prej 48.8 C, më e larta e regjistruar ndonjëherë në Europë.
Brezi i kafesë shtrihet midis dy tropikëve nga Amerika Latine në Azinë Juglindore. Këtu, kushtet e motit plotësojnë kërkesat specifike të kafesë si dielli, temperatura e qëndrueshme, rreshjet e shumta të shiut dhe ditët e rralla të thatësirës.
Por për Andrea Morettino-n, familja e të cilit ka një shekull që merret me biznesin e kafesë, është realizimi i një ëndrre.
“Në vitet ’90, pas shumë udhëtimesh nëpër botë, babai im vendosi të provonte të mbillte disa bimë kafeje në kopshtin tonë të vogël në periferi të Palermos, në tokë 350 metra mbi nivelin e detit. Zakonisht, plantacionet e kafesë rriten rreth 1500 metra mbi nivelin e detit”, thotë Morettino për The Guardian.
“Në fillim ishte një eksperiment i thjeshtë, por pas qindra përpjekjesh filluam të vëmë re se kokrrat e kafesë po rriteshin në numër, deri në pranverën e kaluar kur një korrje e bollshme na lejoi t’i përpunonim, t’i thajmë dhe t’i thekim.
A e dini se çfarë është edhe më e pabesueshme? Bimët rriteshin në ajër të hapur, pa ndihmën e serave apo pesticideve. Plotësisht organike. Për ne mund të jetë një fillim i ri.”
Në atdheun e ekspresit dhe kapuçinos, kultivimi i kafesë “Made in Italy” ka qenë gjithmonë një obsesion. Që në fillim të viteve 1900, një grup agronomësh nga kopshti botanik i Palermos, një institut kërkimor për Universitetin e Palermos, u përpoqën të kultivonin kafe.
Ëndrra u shkatërrua në dimrin e vitit 1912, kur, për shkak të temperaturave veçanërisht të ulëta atë vit, bimët u thanë.
“Është e qartë se urgjenca klimatike dhe rritja e temperaturave si pasojë kanë luajtur një rol vendimtar në lulëzimin e bimëve të kafesë në Siçili”, tha Adriano Cafiso, i cili ka kaluar 15 vitet e fundit duke udhëtuar nëpër plantacione në Amerikën e Jugut dhe Afrikë dhe tani është duke bashkëpunuar me Morettino.
Problemi i kultivimit të kafesë në Siçili nuk është vapa, por i ftohti. Për këtë arsye tashmë po punohet për një sërë plantacionesh serrash. Ideja është që këto bimë do të jenë në gjendje të përshtaten gradualisht me klimën siçiliane deri në atë pikë sa të mund të lulëzojnë edhe jashtë, siç ka ndodhur tashmë në plantacionin e Palermos.
Projekti do ca kohë përpara se të arrijë prodhim në shkallë të gjerë, por Morettino është i vendosur të krijojë plantacione të reja kafeje në ishull.
“Ëndrra jonë është të krijojmë një kafe 0 km dhe të sjellim prodhimin e kafesë për herë të parë brenda kilometrave të Europës kontinentale,” tha ai.
“Në vitet e fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike, Siçilia ka evoluar drejt kulturave të tjera që dukeshin të paimagjinueshme deri një dekadë më parë, dhe të cilat gjithashtu na detyrojnë ne sipërmarrësit të evoluojmë.”
Siçilia ishte për shekuj një nga prodhuesit kryesorë të portokalleve dhe limonëve, të importuar për herë të parë nga pushtuesit e saj arabë në fillim të shekullit të nëntë.
Megjithatë, në vitet e fundit prodhimi i frutave të agrumeve ka rënë në mënyrë dramatike: toka në përdorim për portokallet është ulur me 31% në 15 vitet e fundit dhe ajo për limonët ka rënë pothuajse përgjysmë pasi vera gjithnjë e më e nxehtë dhe e thatë do të thotë që bimët nuk mund të marrin ujë të mjaftueshëm.
Shenjat e ndryshimit ishin ndjerë tashmë përpara se merkuri të arrinte 48.8C në gusht: në verën e vitit 2020 nuk pati shi për 90 ditë rresht. Të dhënat e mbledhura nga Observatori i Ballkanit dhe Kaukazit vendosin rritjen mesatare të temperaturës në ishull gjatë 50 viteve të fundit në pothuajse nga 2C në 3.4C në Messina në bregun verilindor.
Shkencëtarët thonë se urgjenca klimatike mund të fshijë kulturat tradicionale bujqësore nga Mesdheu, duke i lënë kultivuesit të kërkojnë alternativa tropikale. Në tre vitet e fundit prodhimi i avokados, mangos dhe papajas është dyfishuar në Siçili.
“Ekziston një rrezik shumë i lartë dhe i afërt i shkretëtirëzimit në ishull, me shumë hardhi historike të destinuara të zhduken”, tha Christian Mulder, një profesor i ekologjisë dhe emergjencës klimatike në Universitetin e Katanias.
“Në skenarin afatgjatë të rastit më të keq, e gjithë pjesa jugperëndimore e Siçilisë do të jetë klimatikisht e padallueshme nga Tunizia. Kjo po i detyron fermerët të përshtaten me kulturat e reja. Është një situatë tashmë në proces. Ne duhet të luftojmë për të shmangur më të keqen.”