Presidenti Meta i ka dërguar Kuvendit propozimet e tij mbi ndryshimet në Kodin Penal, të cilat votohen sot në Kuvend. Kreu i Shtetit nënvizon se ndryshimet duhet “të jenë të qarta, që qytetarët të mos kenë frikë se do bien pre e procedimit të padrejtë, dhe mos të jenë në kundërshtim me konventat dhe me te drejtat e njeriut”.
Presidenti evidentoi faktin që sipas tij duhet të rivlerësohen marzhet e sanksioneve penale, “për ta sjellë normën e re në kushte proporcionale me gjendjen aktuale dhe vlerësimin e qeverisë për situatën e pritshme që mund të kalojë vendi”, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Masat penale duhet të jenë proporcionale, nënvizon kreu i shtetit. “Duhet bërë dallim të qartë mes dashjes dhe pakujdesisë”, thotë Meta, referuar parashikimeve për burg për përhapjen e pandemisë.
Në sugjerimet për Kodin, kreu i shtetit propozon shtimin e termit “me dashje” në nenin 89, sikurse edhe dënimet proporcionale: 2-5 vjet për përhapjen me dashje të sëmundjeve të renda; 3-8 vjet kur kjo ka sjellë pasoja të renda për njerëzit dhe 5-10 vjet burg kur është shkaktuar vdekja e një apo me shumë personave.