Agron Shehaj deklaroi sot në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se nëse zgjidhet si kryetar i Partisë Demokratike do ti japë fund aktit që një kryetar partie do të drejtojë partinë sa herë të dojë.
Sipas Shehajt, fati i një kryetari do të lidhet automatikisht me rezultatet e tij në zgjedhje dhe se “kush nuk fiton zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen dhe nuk mund të kandidojë”.
“Nëse zgjidhem kryetar i PD do të marrë fund akti që një kryetar do drejtojë PD sa herë të dojë, një kryetar do të lidhet me fatin e fitores, automatikisht kush nuk fiton zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen dhe nuk mund të kandidojë. Unë nuk kam dalë kundër PD, unë kam dalë kundër kryetarit aktual. Jam në PD dhe do të jem edhe pas zgjedhjeve pavarësisht rezultatit. Unë do jem në PD dhe do ti shërbej demokratëve”, tha Shehaj.
“Janë hapur fjalë që të ka futur Luli”, Shehaj i përgjigjet dyshimeve për kandidimin e tij
Agron Shehaj hodhi poshtë dyshimet se ka qenë Lulzim Basha ai që e futur të kandidojë për kreun e Partisë Demokratike.
Përmes emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Shehaj tha se nuk duhen ngatërruar elementët e lidershipit me PD-në, ndërkohë që i cilësoi këto zëra si thashetheme.
“Të mos ngatërrojmë elementë të lidershipit me PD. PD nuk është vetëm lidershipi. Mendoj se jam një element i rëndësishëm në PD dhe nuk duhet të ngatërrojmë PD me njerëz të përveçëm. Këto janë një thashethemnajë dhe unë jam futur në garë për të sjellë ndryshime. Nëse duam të rrëzojmë Ramën duhet të jemi krejt ndryshe nga ai. Ne e kemi dashur demokraci, kjo është demokracia, në demokraci ka garë, në regjime ka tradhëtar. Kur dikush ka një mendim ndryshe shpallet tradhëtar. Në demokraci ka garë dhe konkurrencë”, tha Shehaj.