Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj për ndryshimin e planit urbanistik të qytetit për ndërtimin e një kompleksi rezidencial për llogari të Edmond Begos.
Në një postim në Twitter, Basha thotë se me këtë projekt do të pastrohen 60 milionë Euro të pista, dhe kjo është arsyeja, sipas kryedemokratit, përse mazhoranca votoi kundër Vettingut në politikë.
“Rama dhe Veliaj firmosën për të zhvendosur shtratin e Lanës dhe për të prishur shtëpitë e mbi 200 familjeve! Këtë e bënë vetëm që t’i hapin rrugë projektit të mikut të tyre trafikant droge, ku do të pastrohen 60 milionë Euro të krimit. Ndaj ata nuk e duan Vetingun në politikë”!
Prej disa ditësh, Partia Demokratike akuzon Ramën dhe Veliajn se kanë ndryshuar planin urbanistik të Tiranës duke devijuar lumin Lana për ndërtimin e kompleksit nga Edmond Bego në zonën e Unazës së Re.