Në listën e ndryshimeve të Kodit Penal, që parashikohet të votohen këtë javë në seancë plenare, janë edhe disa ndryshime që ashpërsojnë masat për shkelësit në fushën e sigurisë ushqimore. Një prej ndryshimeve parashikon se importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja ne qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, lëndëve të tjera ushqimore, barnave të rrezikshme si dhe futja në prodhim e kimikateve, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimore e të pijeve, në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm denohet me burgim deri në 3 vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e disa personave, fëmijëve, grave shtatzëna dënohet me burgim nga 10 vjet deri në 15 vjet.
Po ashtu, ndryshimet parashikojnë se importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, pijeve, barnave, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimore e të pijeve pas afatit të përdorimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim gjer në 2 vjet.
Në rastet e importimit, prodhimi, ruajtjes, ofrimit për shitje, falsifikimit, shitjes apo vendosjes në qarkullim në ndonjë mënyre tjetër e ushqimeve, pijeve, barnave, materialeve dhe lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë e të pijeve, në të cilën janë shënuar të dhëna të cilat nuk i korrespondojnë përmbajtjes, llojit, kategorizimit, prejardhjes, origjinës, sasisë apo cilësisë së produktit apo produkte pa të dhënat e mësipërme ose paraqitja e të dhënave të rreme në etiketimin e produkteve ushqimore apo barnave, dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Thyerja, heqja, zëvendësimi, ndërrimi ose falsifikimi i shenjave të sigurisë të vendosura nga organet shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore për qëllime mbikëqyrjeje ose kontrolli ose pezullimi të veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike, mbi mjetet e transportit ose mbi mallra, me qëllim zhvleftësimin e masave të marra, lëvizjen e mallrave ushqimore ose rifillimin e aktivitetit, dënohet me burgim deri në 3 vjet.