Kryesore “Në 2 muaj Shqipëria ka bërë atë që s’ishte realizuar në 15...

“Në 2 muaj Shqipëria ka bërë atë që s’ishte realizuar në 15 vite”, ministri i Jashtëm hungarez: Ballkani Perëndimor duhet të jetë në BE

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama nga Brukseli, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, tha se synimi i unionit është që procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor të mbyllet sa më shpejt pas vitesh të gjata pritjeje.

Sipas tij, Bashkimi Europian ia ka borxh respektin Ballkanit Perëndimor pasi në gati 3 dekada ka dështuar ta bëjë pjesë të vetes, duke bllokuar herë pas herë procesin e integrimit falë politikave jo të denja.

“Mendojmë që të përshpejtojmë politikat e zgjerimit dhe aksesit për vendet e Ballkanit perëndimor. Ne jemi fqinj të Ballkanit Perëndimor dhe i kuptojmë shumë mirë shqetësimet e rajonit dhe rëndësinë e paqes dhe zhvillimit në këtë rajon. Kemi pritur për aksesin për gati 50 vite dhe kjo nuk është gjëja e duhur. Ne i detyrohemi një farë respekti këtyre vendeve dhe ky proces i ka pasur datat të shtyra në mënyrë konstante dhe nuk kishte asgjë tjetër përveçse bllokimit për gati 15 vite nuk kemi parë as marrjen e masave as hapa të rëndësishëm përpara drejt zgjerimit ndaj ne do të donim që gjithë vendet e BP të jenë pjesë e BE”, deklaroi Szijjártó.

Sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë, e cila sot hapi grupkapitullin VI në konferencën e tretë ndërqeveritare, Szijjártó tha se vendi ka bërë progres në dy muaj në presidencën hungareze të Këshillit të BE, më shumë seç kishte arritur në 15 vitet e fundit.

“Në 15 vitet e fundit keni dëgjuar për përqasjen në bazë të meritave, e cila ka qenë aty. Në 6 muajt e fundit ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për të përshpejtuar procesin e zgjerimit. Shqipëria nga viti 2009 e ka paraqitur kërkesën për anëtarësim. Në vitin 2014 kori vendin e statusit kandidat dhe në 2022 filluan negociatat dhe themeli për negociatat u hodh vetëm nën presidencën hungareze. Në vetëm dy muaj ne kemi pasur dy konferenca ndërqeveritare, dy grup kapituj janë hapur dhe kjo është shpejtësi e paprecedentë. Më shumë ka ndodhur në 2 muajt e fundit se në 15 vitet e kaluara. Kjo tregon sukses për Shqipërinë, presidencën hungareze dhe BE. Shqipëria ka treguar ekselencë për 6 kapitujt që do të jenë në këtë grup kapitull për marrëdhëniet me jashtë dhe sigurinë, ndaj po  e hapim këtë kapitull sot. Ky grup kapitull është i rëndësishëm për t’u hapur. Është e rëndësishme për vetë vendet e BP dhe vetë Shqipërinë, pasi anëtarësimi i saj do ta forconte BE duke parë edhe progresin ekonomik që ajo ka bërë dhe kompanitë hungareze janë tani pjesë e tregut shqiptar. Një nga kompanitë hungareze të Telekomit ruan një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare”, u shpreh ministri i Jashtëm hungarez.