Mos u habisni nëse një mëngjes zgjoheni dhe lexoni se presidentja e Amerikës është Angelina Jolie. Vetë aktorja bëri me dije se nuk do të ishte çudi nëse një ditë përfshihej në politikën amerikane dhe pse jo, të konkurronte për presidente të SHBA-ve.
Fituesja e çmimit Oscar gjatë një intervistë për BBC-në, foli rreth çështjeve që e shqetësojnë më shumë momentalisht si abuzimet seksuale, rreziku që vjen nga rrjetet sociale, politika në SHBA dhe kriza globale e refugjatëve.
E pyetur nëse e sheh veten si një president të mundshme në të ardhmen, Jolie u shpreh.
“Nëse do të më kishit pyetur 20 vite më parë, do qeshja. Unë them gjithnjë se do të jem aty ku nevojitem, por s’e di nëse bëj si politikane. Pastaj bëj shaka dhe them se nuk e di nëse ka më vend në sirtarin tim. Gjithsesi unë jam shumë e hapur. Mund të marr shumë gjëra përsipër dhe kjo është gjë e mirë. Sinqerisht, do të bëja gjithçka për të ndryshuar çfarë duhet ndryshuar. Gjithashtu jam e gatshme të punoj me qeveritë apo ushtritë me qëllimin për të bërë punë të mira.”
Nga përgjigja, Angelina dukej optimiste dhe mund të themi me plot gojën se listës së kandidatëve VIP për president pas Oprah-s iu shtua edhe ylli i filmave.