Mandati i Ilir Metës si President i Republikës do të mbyllet me datë 24 korrik.
Kjo pasi krerët e komisioneve dhe grupeve parlamentare kanë vendosur në mbledhjen e kësaj të hëne që në këtë datë Kuvendi do të mblidhet në një seancë të posaçme plenare për të zhvilluar procesin e betimit të Presidentit të ri të Republikës, Bajram Begaj.
Ai u votua me datë 4 qershor si kreu i ardhshëm i Shtetit. Begaj u zgjodh në postin më të lartë të shtetit shqiptar në raundin e katërt të votimit me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
Pas seancës plenare të 24 korrikut, presidenti i ri Bajram Begaj do ti drejtohet Presidencës ku pritet të zhvillohet ceremoniali shtetëror për nisjen zyrtarisht të detyrës së Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Bajram Begaj para votimit si President i ardhshëm i Republikës mbante detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura me Gradën gjeneralmajor.
Ai do të zëvendësojë Ilir Metën në detyrën e Kreut të Shtetit, i cili u zgjodh President me 28 prill 2017.