Gjatë 7 muajve të fundit, policia shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ka vënë në pranga kokat më të mëdha të krimit. Ata janë të paktën 11 personazhe të njohur të botës së krimit.
Janë lokalizuar dhe arrestuar Behar Bajri në Francë, Lul Berisha në Spanjë, baroni i heroinës Gëzim Çela në Kosovë, shqiptari më i kërkuar në botë Dritan Rexhepi në Turqi, Leonard Duka në Belgjikë, kunati i Lul Berishës, Plarent Dervishaj në Dubai, Juljan Meçaj dhe Florenc Çapja në Dubai, Laert Haxhiu në Greqi, vrasësi i dënuar me burgim të përjetshëm Ervin Shahini, në kërkim prej 26 vitesh, apo Eduard Kurti i dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm.
U lokalizuan dhe u ekstraduan dhjetëra personazhe krimi si Rubein Saraiva në Marok, apo Donald Hoxha në Britaninë me Madhe, të kërkuar nga drejtësia për vrasje.
Pak ditë më parë gjithashtu pas ndjekjes së personave që mbanin lidhje me Ibrahim Licin, u bë i mundur lokalizimi i tij në Stamboll. Ai ndodhet në kërkim për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër. Rreth 1 vit më parë, prokuroria e Shkodrës mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen penale kundër Ibrahim Licit, duke e akuzuar këtë të fundit si ekzekutor i Endri Mustafës, më 17 Maj 2021.
Dosja nga grupi hetimor i prokurorisë është dërguar në gjykatën e Shkodrës, por për shkak tË mos arrestimit të Licit deri tani, gjykata ka urdhëruar pezullimin e gjykimin për 1 vit. Për vrasjen e Endri Mustafës, është dënuar me 10 vite burg 16-vjeçari Ergys Malja, i dënuar për akuzën e ‘Vrasjes me paramendim kryer ne bashkëpunim’. Për Maljan prokuroria kërkoi 12 vite burgim për shkak të moshës së tij të mitur./Klan News