Bota Në aeroportet italiane nis aplikimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës

Në aeroportet italiane nis aplikimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës

Aeroportet italiane po testojnë teknologjinë e njohjes në fytyrës, që do të thotë se pasagjerëve nuk do t’u duhet të tregojnë pasaportat para se të hipin në avion.

I quajtur “FaceBoarding”, sistemi skanon fytyrën e udhëtarëve për t’i lejuar ata të kalojnë nëpër kontrollet e sigurisë dhe portat e imbarkimit në vend që të tregojnë pasaportën, kartën e identitetit ose biletën.

Paraprakisht, pasagjerët duhet të regjistrohen në pikat e posaçme në aeroporte ose nëpërmjet një aplikacioni, pasi të kenë bërë check-in për fluturimin.

Sistemi i ri përdor softuerin e njohjes biometrike të krijuar nga kompania franceze e IT Thales.

Ai shkurton kohën e pritjes në gate dhe të hipjes në avion.

“Përveçse përshpejton procedurat e kontrollit, kjo rrit efektivitetin dhe garanton mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave të pasagjerëve”, thuhet në një deklaratë të SEA, kompania që menaxhon aeroportet Linate dhe Malpensa të Milanos.

FaceBoarding aktualisht është i disponueshëm për të gjithë pasagjerët mbi 18 vjeç në dy aeroporte në Itali: Milano Linate dhe Catania. Shumë shpejt, kjo teknologji do të shtrihet edhe në aeroportin e Malpensës.

Krahas ITA Airways, në këtë sistem është regjistruar edhe Scandinavian Airlines, ku shërbimi është i disponueshëm për të gjitha linjat ajrore.

Paralelisht, në funksion janë edhe procedurat e vjetra. Ata që nuk dëshirojnë të përdorin sistemin mund të hyjnë në sigurinë dhe portat si zakonisht duke përdorur dokumentin e identitetit dhe kartën e imbarkimit.