Prokuroria e Posaçme ka kryer kontrolle në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në një banesë të tij në Vlorë.
Mësohet se kontrollet janë zhvilluar në një apartament në katin e 7 të një pallati pranë Lungomares.
Bëhet e ditur se dera e apartamentit është hapur me forcë nga zjarrfikëset.
Ndaj Beqajt është vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg” dhe ndodhet në qeli për abuzim me fondet e BE në SASPAC.
Sipas SPAK, ish-ministri Beqaj në kohën që ka mbajtur detyrën e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të programeve strategjike, e njohur ndryshe si SASPAC, ka ngritur një skemë të mirëfilltë korruptive me qëllim përfitimin e shumave të parave nëpërmjet duke organizuar tendera fiktivë.
Dy ditë më parë, më 22 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka ankimuar në apelin e GJKKO, masën e sigurisë arrest me burg.
Avokati i tij mbrojtës ka thënë se ish-ministri nuk ka rrezik që të largohet jashtë vendit apo të prishë provat.