Tre vite pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, qyteti i Durrësit vijon të mbetet një kantier i hapur ndërtimi. Në prill 2021 kryebashkiakja Emiriana Sako premtoi se pallatet e dëmtuar nga tërmeti do të riforcoheshin brenda 6 muajve. Por nga verifikimi i Faktoje dhe konfirmimi i vetë bashkisë Durrës rezulton se nga 103 pallate të dëmtuar, vetëm për 9 ka përfunduar riforcimi, 8 janë në proces ndërsa për 43 pallate ende nuk janë çelur fondet për hartimin e preventivit.
Kontrata për këto objekte është 6 muaj. Parashikojmë që punimet të përfundojnë në një afat më të shkurtër. Kemi rreth 103 pallate në Durrës për të cilat do të realizohet ky proces”, deklaroi kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako në prill të një viti më parë.
Në lidhje me këtë problematikë, Faktoje raportoi në dhjetor 2021 se në qytetin bregdetar, shumë pallate të dëmtuar në masën DS4, ishin në të njëjtën gjendje, ndërsa banorët e tyre prisnin që ndërtesat të riforcoheshin.
Për shkak të interesit të lartë që ka procesi i rindërtimit dhe faktit që shumë banorë ende nuk janë futur në banesat e reja apo të rikonstruktuara, ne bëmë sërish një verifikim. Më 19 shtator iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit, të cilën e pyetëm se sa është numri i pallateve të dëmtuar që nuk janë riforcuar.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 19 shtator 2022
Zyrtarisht ky institicion bën të ditur se janë dhjetëra pallate që pritet të riforcohen, duke shtuar procedurat përkatëse për fillimin e punimeve të riforcimit do të nisin pas miratimit të fondeve. Bashkia thekson se banorët e pallateve DS4 po subvencionohen me bonus qiraje.
“Janë 8 pallate DS4 për të cilat institucioni i Bashkisë Durrës ka kërkuar fond për zbatimin e punimeve të riforcimit, me miratimin e të cilit do të nisin të gjitha procedurat për fillimin e punimeve.
Ndërkohë është kërkuar fond për hartim projekti përforcimi për 43 pallate, me miratimin e të cilit do të zhvillohen procedurat e prokurimit publik për përzgjedhjen e subjektit që do të hartojë projektin e përforcimit. Me miratimin e fondeve përkatëse dhe me përfundimin e të gjitha procedurave të parashikuara në ligj do të nisin punimet e riforcimit. Për çdo kontratë përcaktohet afati i punimeve në varësi të projekt-preventivit të hartuar. Puna për riforcimin e tyre do të fillojë me miratimin e fondeve përkatëse dhe me përfundimin e procedurave për përzgjedhjen e subjektit përkatës”, sqaron bashkia Durrës.
Më tej shton: “Për riforcimin e 8 pallateve me nivel dëmi DS4 për të cilët është hartuar projekt-preventivi i riforcimit, nga ana jonë është kërkuar fond për zbatimin e punimeve të riforcimit në vlerën 852.663.751 lekë pa TVSH për të 8 objektet.
Ndërkohë kemi kërkuar dhe fond prej 111.633.900 lekë pa TVSH për hartimin e projekteve të riforcimit të objekteve me nivel dëmi DS4, përkatësisht për 43 objekte pallat DS4”.
Por, sa pallate DS4 janë riforcuar në Bashkisë Durrës dhe sa janë në proces, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019? Zyrtarisht na bëhet e ditur se deri tani kanë përfunduar vetëm 9 pallate me nivel dëmi DS4.
“Aktualisht janë 81 pallate me nivel dëmi DS4, disa prej të cilave janë në zbatim disa prej tyre me nënshkrimin e kontratave të punëve publike dhe të mbikqyrjes së tyre do të nisin procesin e përforcimit”, sqaron Bashkia e Durrësit.
Për të parë nga afër procesin e riforcimit të pallateve në Durrës, Faktoje ishte në terren më 7 tetor. Sapo futesh në Durrës shihen qartë gjurmët e tërmetit, ndërsa banorët duken pesimistë mbi përfundimin e procesit të rindërtimit. Në lagjen 17 të qytetit bregdetar kishte pallate që po riforcoheshin.
Pallat në proces riforcimi në lagjen 17
“3 vjet për të rregulluar 5 kate. Vetëm këtu te ne ndodh. Prisni na thonë se do bëhen”, thonë një e moshuar për Faktoje.
Pallat në proces riforcimi në lagjen 17, Durrës
E njëjta situatë ishte edhe në lagje të tjera të Durrësit. Pallate që nuk kishin nisur të riforcoheshin, apo edhe të tjerë që ishin në proces.
Pallat në proces riforcimi në lagjen 12, Durrës
Pallat në proces riforcimi në lagjen 10, Durrës
Edhe në zonën e plazhit pamë që kishte pallate të dëmtuar, ndërsa banorët presin edhe pas 3 vitesh që të futen në banesat e tyre.
Pallat i dëmtuar në zonën e plazhit, Durrës
Pallat i dëmtuar në zonën e plazhit, Durrës
Një prej drejtuesve të punimeve në lagjen 12 të Durrësit tha se prej 1 muaji kishte filluar puna për riforcimin e pallateve në atë zonë, ndërsa pritej që të përfundonin pas 7 muajsh.
Nisur nga përgjigja e Bashkisë Durrës dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakes Emiriana Sako për riforcimin e pallateve brenda 6 muajve, do ta konsiderojmë Të Pambajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) ka nisur një projekt monitorimi në 10 bashkitë të vendit, me qëllim verifikimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.
/Faktoje.al