Bota Në Hagë janë thirrur mbi 40 vetë nga Kosova. Në listë edhe...

Në Hagë janë thirrur mbi 40 vetë nga Kosova. Në listë edhe Thaçi e Veseli

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve të Kosovës, Rada Trajkovic, thotë se presidenti kosovar Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, janë intervistuar nga Gjykata Speciale në lidhje me akuzat për krime lufte.

Trajkovic e ka vlerësuar vendimin e Ramush Haradinajt për tu përballur me prokurorinë e posaçme. Sipas saj, Kryeministri i larguar kosovar i dha Thaçit dhe Veselit një “leksion morali”.

Duke folur për Tv N1, politikania serbo-kosovare ka rrëfyer se mbi 40 vetë në Kosovë kanë marrë ftesa për të shkuar në Hagë, në cilësinë e të dyshuarve, apo si dëshmitarë. Sipas saj, “për komunitetin serb më e rëndësishme është se kur do të fillojë procesi kundër të ashtuquajturit ‘Grupi i Drenicës’, i cili në raportin e Dick Marty dyshohet për rrëmbimin e serbëve dhe trafikimin e organeve”.

Haradinaj e përfundoi të mërkurën paraqitjen para Prokurorisë së Posaçme në Hagë, një nga dy dhomat e Gjykatës speciale që do të trajtojë pretendimet mbi përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe periudhës sq parë të pasluftës.

Pas qëndrimit për më shumë se një orë brenda ndërtesës së prokurorisë, ai tha se nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, duke shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Haradinaj udhëtoi drejt Hagës pak ditë pasi paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i Kryeministrit, e dyta herë kjo në 14 vjet.