Aktualitet “Në janar do të ketë arrestime të reja”, gazetari zbulon strategjinë e...

“Në janar do të ketë arrestime të reja”, gazetari zbulon strategjinë e SPAK: Informacione të reja nga dosja Sky ECC

Foto ilustruese

Gazetari Eni Ferhati tha në një intervistë për Mirela Milorin në Euronews Albania se pritet që në janar do të kemi zhvillime të reja në drejtësi.

Ai tha se pasi të vijnë informacionet e reja lidhur me dosjen e Sky ECC, mund të kemi dosje të reja penale, ndërsa shtoi se tashmë janë marrë nën hetim nga SPAK ngjarje shumë të rënda.

“Ajo që më ka bërë përshtypje është dosja e fundit, ajo e organizatës kriminale të Suel Çelës, sa i takon mënyrës se si kjo organizatë e ushtronte influencën e saj në territor edhe sa i takon komunikime që më pas janë zbardhur nga njerëz të drejtësisë.

Ajo që mua më pëlqen në strategjinë e prokurorisë së Posaçme, janë hetimet që SPAK po u bën tenderave publik.

Abuzimi më i madh me fondet e taksapaguesve shqiptarë janë te tenderat dhe prokuroria e Posaçme një punë të mirë po e ushtron pikërisht te ankandet publike. Këtu kemi parë çudira nga më të ndryshme se si bëhet kopsitja e letrave për të favorizuar një kompani të caktuar. Kjo ka bërë që institucionet të jenë më të kujdesshme me ushtrimin e detyrave të tyre.

Unë besoj se në janar, me ardhjen e informacioneve të tjera nga Sky, ndërkohë keni edhe Matrix në horizont që nuk dihet nëse do të hetohet njësoj. Do kemi dosje të tjera penale. Ka ngjarje të tjera shumë të rënda të cilat janë marr tashmë nga SPAK, siç është edhe masakra e fundit e Dobraçit për të cilën janë lëshuar edhe disa masa sigurie”, tha Ferhati.