Kryeministri Edi Rama e ka quajtur një proces shumë kompleks marrjen e vaksinave kundër COVID. Rama tha se është një luftë ekonomike, por dhe politike, pasi SHBA ka bllokuar shpërndarjen e vaksinave të Pfizer jashtë vendit.
Edhe pse ka shumë problematika për marrjen e vaksinave, Kryeministri tha se brenda muajit janar do të nisë vaksinimi në Shqipëri.
“Ne do të fillojmë vaksinimin brenda Janarit dhe unë kam tendencë të besoj që në mes të Janarit të fillojmë vaksinimin. Në fillim do të vaksinohen mjekët dhe infermierët, e me pas mësuesit, policët dhe shtresat e tjera vulnerable. Jemi në negociata dhe me Astra Zeneca dhe Moderna, por do të përfundojmë dhe marrëveshjen me Pfizer.
Jemi shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me Pfizer, pasi diskutimet kanë nisur qysh me takimin me shefin e kompanisë në New York pak javë më parë”, theksoi numri një i qeverisë.
Në fund tha se “është njësh” kur vjen puna për të lypur për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndaj dhe theksoi se premtimi për vaksinim në Janar do të jetë realitet.