Thatësira ekstreme që ka kapluar Kaliforninë ka bërë që uji të rrallohet aq shumë, saqë hajdutët po bëjnë gjithçka për ta vjedhur atë nga burimet e çmuara.
CNN raporton se persona të ndryshëm po çajnë tubacionet e vendosura nga zjarrfikësit, por gjithashtu po marrin ujë nga lumenjtë, e madje edhe nga rezervuarët personalë të fermave apo shtëpive private në zonat rurale.
Autoritetet shtetërore dhe lokale thonë se ky është një problem që zgjat prej disa kohësh, por rastet e vjedhjes së ujit janë shtuar së fundmi për shkak të temperaturave të larta, që kanë shkaktuar thatësira të përmasave gjigante.
Që prej vitit 2013, autoritetet vlerësojnë se janë vjedhur më shumë se 45 miliardë litra ujë. Fenomeni ka shkaktuar më tepër dëme te fiset indigjene amerikane dhe komunitetet me numër të vogël banorësh.
Një pjesë e mirë e ujit të vjedhur përdoret edhe për të furnizuar fermat e marijuhanës. Deri tani, këtë vit, autoritetet thanë se kanë arrestuar 900 persona për kultivim të paligjshëm të kanabisit dhe kanë shkatërruar më shumë se 600 km tubacione uji.