Erlind Cekaj, i cili rezulton i shpallur në kërkim nga SPAK për mashtrimet me Call Center, është arrestuar në Dubai.
Cekaj akuzohet për kryerjen e veprës penale të ‘Mashtrimit kompjuterik’, në dëm të shumë personave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Cekaj është pjesë e grupit të Amant Josifit, i cili gjithashtu strehohet në Dubai, ku dhe u arrestua përkohësisht, për t’u lënë më pas i lirë.
Grupi i Josifit akuzohet se iu ka zhvatur përmes mashtrimit një shumë prej 6.1 milionë eurosh, shtetasve gjermanë.
NJOFTIMI I POLICISË
Në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabi/Emiratet e Bashkuara Arabe, me datë 20.08.2024, është bërë e mundur arrestimi i personit në kërkim ndërkombëtar Erlind CEKAJ, i biri i Fatos dhe Shqiponja, i datëlindjes 16.07.1996, lindur dhe banues në Bregas, Fier.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim penal Nr. 85 datë 18.10.2023, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, të “Mashtrimit”, “Forma të veçanta të bashkëpunimit”, Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1-28/4, 333/a, 334 të K. Penal
Përmbledhje e fakteve
Shtetasi Erlind CEKAJ në bashkëpunim me subjekte të tjera që punonin për një kompani të quajtur IT PumaTS/SM Company, të lidhur me kompaninë Milton Group, kanë qenë pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar që shfrytëzonin platformat mashtruese, dhe vepronin në mbarë botën dhe drejtohej kryesisht nga qendrat e thirrjeve në Gjeorgji, Ukrainë, Maqedonia e Veriut, Shqipëria etj.
Ky rrjet kriminal në bashkëpunim me platforma të tjera mashtruese si Absolut Global Markets, AurumPro, Finaxis etj, ka mashtruar qindra persona nga vendet e BE-së, duke u shkaktuar atyre miliona euro. Hetimet kanë nisur në vitin 2021 nga disa vende si Spanja, Gjermania, Suedia, Finlanda, Letonia, Ukraina, Gjeorgjia dhe Shqipëria nën koordinimin e Eurojust.