Viktor Marku, autori kryesor i dyshuar i vrasjes së Hekuran Billës më 11 Qershor 2020, është arrestuar nga policia. Ai u ndalua në Mal të Zi në bashkëpunim me autoritetet malazeze.
Sipas Policisë së Shtetit, Viktor Marku qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe nga shkëmbimi i informacioneve me policinë malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e tij.
Viktor Marku iu dorëzua policisë shqiptare në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit. Viktor Marku është vallai i Prel Markut, të riut shqiptar të vrarë në vitin 2006 në Londër nga Hekuran Billa.
Një ditë më parë u arrestua Sebastian Mali 22 vjeç, nipi i Prel Markut. Mali dyshohet se ka qenë personi që ka ndjekur Hekuran Billën dhe ka informuar atentatorët për lëvizjet e 40-vjeçarit.
Ndërsa Viktor Marku dyshohet se është ekzekutori direkt i Hekuran Billës, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e 11 Qershorit në zonën e Komunës së Parisit në kryeqytet.
Hetimet e policisë për zbardhjen e ngjarjes janë fokusuar në pistën e hakmarrjes, për shkak të ngjarjes së ndodhur në Londër, kur Hekuran Billa vrau Prel Markun dhe plagosi 3 shqiptarë të tjerë.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit:
Arrestohet autori kryesor i dyshuar për vrasjen e shtetasit H. B.
Falë shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit efikas me Policinë malazeze u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit V. M.
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vënë në pranga, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit Shkodër, shtetasin V. M., pasi dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, te Komuna e Parisit, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B.
Shtetasi V. M. qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit V. M., në Malin e Zi.
Policia malazeze ia ka dorëzuar shtetasin V. M., strukturave të Policisë së Shtetit, në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit.
Një ditë më parë, nga strukturat policore të DVP Tiranë u kap dhe u vu në pranga njëri nga bashkëpunëtorët në vrasje, 22-vjeçari S. M., nipi i shtetasit V. M.
Ndërkohë, nga Sektori Kundër Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë vrasje.
Policia e Shtetit falenderon Policinë malazeze për bashkëpunimin, shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve, duke bërë të mundur vënien në pranga të autorit të vrasjes së shtetasit H. B.