Kulturë Në kërkim të qytetit të nëndheshëm në Durrës

Në kërkim të qytetit të nëndheshëm në Durrës

I ndodhur në zemër të qytetit, Amfiteatri i Durrësit nuk është thjesht një monument antik, por një dëshmi e pasur e jetës dhe kulturës ndër shekuj. Ky ndërtim madhështor flet për rëndësinë që ka pasur ky qytet gjatë periudhës romake.

Gërmimet për rizbulimin e amfiteatrit të Durrësit filluan në Maj të vitit 1966 dhe vazhdojnë ende sot.

Në galeritë 8 dhe 9 u zbuluan shtresa të periudhës Osmane dhe Mesjetës së hershme, ku arkeologët gjetën varret e katër foshnjave që i përkasin shekujve IX-XI, duke i shtuar një dimension historik këtij vendbanimi antik.

Për arkeologun Jani Koçillari rezultatet nga gërmimet janë pritur me interes të lartë, pasi mund të sjellin informacione të reja për të kuptuar më mirë funksionin e tij në të kaluarën.

Këto zbulime ndihmojnë studiuesit të kuptojnë më mirë si funksiononte qyteti dhe çfarë roli luante amfiteatri në jetën sociale dhe kulturore të tij.

Ky monument i jashtëzakonshëm, më i madhi në Ballkan, u ndërtua në shekullin e II pas Krishtit dhe shërbente si vendi ku ndesheshin gladiatorët.

Pas braktisjes së Amfiteatrit, galeritë u transformuan dhe u zbukuruan me mozaikë, duke u përdorur si kishë.

Ky amfiteatër mban të vetmin mozaik mural të njohur në qytetin e Durrësit.

Këto ndryshime tregojnë fazat e zhvillimit dhe funksionit të amfiteatrit ndër shekuj.

Për specialistët, Amfiteatri i Durrësit qëndron si një urë mes të shkuarës dhe të ardhmes, duke formuar një pazëll të jashtëzakonshëm që vazhdon të plotësohet me çdo zbulim të ri.

Sot, ky monument është një prej atraksioneve më të vizituara të Durrësit, ku mijëra turistë çdo vit vijnë këtu për të prekur  nga afër historinë e lashtë të këtij qyteti.

“Ky amfiteatër më pëlqeu pa masë për galeritë dhe hapësirat e vogla. Është interesante sepse të rikthen kujtimet. Sot mbeten vetëm rrënojat, por dikur ishte emocionuese të përjetoje një kohë tjetër. Vetë jam shumë i interesuar për këto gjëra”, thotë një turist.

“Jam për herë të parë në Shqipëri, vij nga Holanda. Më pëlqen shumë këtu, është vërtet e mrekullueshme, sikur të ndjesh historinë në çdo cep. Qëndruam dy ditë në Tiranë, pastaj erdhëm këtu, dhe së shpejti do të vizitojmë Krujën, për t’u kthyer më pas sërish në Tiranë. Është një vend i bukur, historia, kultura, gjithçka”.

Aktualisht, monumenti ka të dukshme, mbi dhe nën tokë, vetëm 1/3 e tij. Ndaj, zbulimi i plotë i arenës do të na japë informacion të vlefshëm për funksionimin e tij në periudhën romake dhe do të sjellë surpriza për fazat historike të këtij monumenti, por nga ana tjetër do ta bëjë më tërheqës për vizitorët.

Arkeologët janë të bindur se ky vend do të vazhdojë të zbulojë sekrete të panjohura të funksionimit dhe historisë së këtij monumenti të jashtëzakonshëm./ Klan News