Aktualitet “Në këtë histori ka dorë Indrit Dokle”, kë akuzojnë të afërmit për...

“Në këtë histori ka dorë Indrit Dokle”, kë akuzojnë të afërmit për zhdukjen e Ervis Martinaj, çfarë deklaroi i dyshuari

Ndërsa grupi hetimor kërkon të gjejë shtigje të reja drejt zbardhjes të së vërtetës për zhdukjen e Ervis Martinaj, duket se humbja e tij pa gjurmë, është e mbuluar nga një tis mjegulle që vazhdon të qëndrojë pezull mbi ngjarjen.

Ndërsa Policia është në kërkim të autorëve të mundshëm të rrëmbimit dhe zhdukjes së tij, një ndër këto dyshime lidhet edhe me hasmëritë që Ervis Martinaj, kishte krijuar kohë pas kohe.

“Unë dyshoj se zhdukja e nipit tim Ervis Martinaj ka lidhje me grupe kriminale dhe individë që i ka përfshirë Nuredin Dumani. Në këtë histori është edhe Indrit Dokle, i cili mund te ketë organizuar gjithçka lidhur me zhdukjen e nipit”, ka deklaruar Faik Martinaj, xhaxhai i Ervis Martinaj.

Mbështetur në dëshmitë e familjarëve dhe të akuzave që ata ngritën, grupi hetues mori në pyetje edhe Endrit Doklen.

Personi që sikundër del edhe në dëshminë e Nuredin Dumanit, ka qenë objektiv i shënjestrës së Ervis Martinaj.

Por Dokle, ashtu siç pritej, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen e zhdukjes së Ervis Martinaj.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj”, tha Dokle.

Sipas dosjes hetimore të siguruar ‘Në Shënjestër’, shfaqja e fundit publike e Martinaj, daton të jetë më 9 gusht në Tiranë, në ambientet e një qendre tregtare pranë Zogut të Zi. Vetëm disa ditë pasi ai ishte parë të lëvizte i lirë në Durrës.

Ndërkohë që nga data 9 gusht, koha kur ai shfaqet në Tiranë dhe deri më 10 gusht që përkon me kallëzimin për zhdukjen e tij, nuk ka asnjë provë të ekzistencës së tij.

Ato që rrethojnë gjithmonë personazhe të tillë, në të gjallë dhe në ikje të tyre nga kjo botë, ku një ndër këto teori është edhe ekzistenca e një video, në pamjes e së cilës shfaqet trupi i copëtuar i Ervis Martinaj.

Një video që thuhet se qarkullon dorë më dorë, por që askush deri më sot nuk e ka parë, as vetë autoritetet ligjzbatuese, që të mund të konfirmonin vërtetësinë e saj.