India është vendi që ka ndotjen më të madhe të ajrit në botë. Shtëpia e 21 nga 30 qytetet më të ndotura në botë, ajri i saj toksik vret më shumë se një milion njerëz çdo vit. Kjo pjesërisht edhe sepse kombi i Azisë Jugore është prodhuesi i dytë më i madh në botë i tullave. Furrat e prodhimit të tullave, lëshojnë në ajër një përqindje të lartë të dyoksidit të karbonit që bëhet shkaktar i kësaj ndotje të tmerrshme.
Megjithatë, shumë pak prej këtyre kompanive të tullave janë ndërgjegjësuar ndaj këtij fenomeni. I tillë është arkitekti indian, Tejas Sidnal, i cili për CNN thotë se u trondit kur zbuloi rolin e industrisë së ndërtimit në krizën e ndotjes. I vendosur për ta bërë ndërtimin më të qëndrueshëm dhe për të trajtuar ndotjen e ajrit në Indi, Sidnal filloi fushatën “Carbon Craft Design”. Projekti konsiston në marrjen e karbonin e zi të nxjerrë nga ajri i ndotur dhe përpunimi i tij për të bërë pllaka ndërtimi me stil dhe të punuara me dorë.
Kompania përdor një teknologji e cila kap blozën e karbonit nga makinat dhe fabrikat, dhe e shndërron atë në bojë ose në formë pluhuri. “Ne gjetëm një mënyrë për t’i shtuar vlerë këtij karboni duke e përdorur atë si një pigment në pllakat e karbonit. Reduktimi i ndotësve, si karboni, mund të ndihmojë në ngadalësimin e ngrohjes globale dhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, thotë Tejas Sidnal.
Ai thotë se kompania synon të sigurojë që çdo pllakë të përmbajë të paktën 70% të mbetjeve, të cilat të nisin të tregtohen lirisht dhe masivisht si pllakat e zakonshme. Përmes këtij projekti shumë firma të njohura si Adidas, kanë zgjedhur të modelojnë dyqanet e tyre me këto pllaka, si një formë kjo edhe për t’u bashkuar me fushatën kundër ndotjes së ajrit.