Kryeministri Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare për procesin e rienergjizimit dhe organizimin e Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste, deklaroi se turi i takimeve me emigrantët do të vijojë në shtator.
Rama sqaroi arsyen e shtyrjes së takimeve me emigrantët në Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë ku dha arsyet e veçanta për secilin takim.
“Në Londër, për shkak se ka zgjedhje të parakohshme, u bë problem më vete marrja e sallës që kishim prenotuar. Në një situatë zgjedhore është normale që edhe ne të shmangnim një takim politik. Po kështu, duke qenë se parashikimi dhe përgatitja për takimin e Dyseldorfit ishte afër me ndeshjen e Kombëtares sonë, nuk do të donim të krijonim një ide të bashkimit të dy gjërave. Prandaj, turi do të vijojë në shtator me takimet e Anglisë dhe Gjermanisë, ndërkohë që do të përgatitemi edhe për një takim në SHBA”, u shpreh Rama.
Në lidhje me anëtarësinë e PS, Rama deklaroi: “Kemi pasur një rritje domethënëse të anëtarësisë aktive, ndërkohë që kemi pasur edhe një pjesëmarrje domethënëse edhe në zgjedhjet për delegatët e Kongresit të ardhshëm të PS. Nga procesi i rienergjizimit dhe nga një riqëmtim total i gjithë anëtarësisë së gjithë PS, kemi 93 000 anëtarë të regjistruar dhe të identifikuar si të tillë dhe nga këta 78,6% mori pjesë në zgjedhjet e Kongresit. Është shifra më e lartë e pjesëmarrjes që kemi pasur në këto lloj procesesh”.