Një zbulim i ri tregon gjurmë të lashta uji në Mars, që datojnë 4,45 miliardë vjet më parë, të gjetura në një kokërr minerali zirkoni të izoluar brenda meteoritit “Bukuria e Zezë”. Ky meteorit, i zbuluar në shkretëtirën e Saharasë në vitin 2011, ka hapur një dritare unike për të studiuar historinë e hershme të “Planetit të Kuq”.
Studiuesit analizuan zirkonin, një mineral i njohur për qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të ruajtur gjurmë të kushteve të krijimit të tij. Analiza zbuloi se uji ka ekzistuar në koren e Marsit vetëm 100 milionë vjet pas formimit të planetit. Elementë si hekuri, natriumi dhe alumini të gjetur brenda zirkonit tregojnë se ky mineral u formua në prani të ujit të pasur me minerale, duke sugjeruar ekzistencën e sistemeve hidrotermale, si burime të nxehta.
“Kjo është prova më e hershme e ujit në Mars dhe tregon që planeti mund të ketë pasur kushte për të banuar në të”, citohet nga CNN Jack Gillespie, autor i studimit nga Universiteti i Lozanës.
Sistemet hidrotermale janë të lidhura me mjedise të ngjashme në Tokë, ku shpesh lind jeta. Megjithëse “Bukuria e Zezë” është burimi më i mirë aktual për studimin e historisë së hershme të Marsit, kthimi i mostrave të zgjedhura nga robotët e dërguar atje, si Perseverance, mund të japë të dhëna më të detajuara. Roboti aktualisht po mbledh mostra nga Krateri Jezero, ku besohet se kanë ekzistuar liqene dhe sisteme hidrotermale 3,7 miliardë vjet më parë.
Ky studim tregon rëndësinë e kërkimit për ujë dhe jetën e hershme, duke ngritur hipoteza të reja për historinë e Marsit dhe potencialin e tij për të lejuar jetën në të.