Përmes Facebook-ut zbulon se ka katër motra dhe dy vëllezër, të cilët nuk e dinte as që ekzistonin.
Është e pabesueshme historia e Francesca Trivella, 75-vjeçares nga Palaia, në Pisano të Italisë.
Gjithçka nis nga një mesazh që i vjen në llogarinë e saj në Facebook, në të cilin shkruhej: “Po kërkojmë një person që ka të njëjtin emër e mbiemër me ty dhe që kishte një mama të quajtur Maria Trivella”.
Fillimisht gruaja ishte thuajse e trembur.
“Çfarë donin nga unë? Njihnin emrin, mbiemrin dhe nënën time, isha konfuze”, rrëfen Francesca për “Il Tirreno.”
Por më pas, pas pyetjeve gjithnjë e më specifike, u bind për të bërë një video telefonatë për të realizuar më pas një takim me pjesën tjetër të familjes, deri tani të panjohur për të.
Francesca dhe motrat e vëllezërit e saj të rinj u panë për herë të parë në Cuneese (vend ku jetojnë ata): “Tani nuk rrimë dot pa njëri-tjetrin, dëgjohemi çdo ditë. I zbulova pas 75 vjetësh dhe tani dua të shijoj dashurinë e tyre sa më shumë të jetë e mundur “.
Kjo histori e pabesueshme ka nisur në vitin 1943 në Casciavola, të Pisano-s.
Mamaja e Francesca-s, Maria Trivella, asokohe shumë e re ishte duke u martuar me një ushtar me origjinë nga Sardenja dhe shtatzanë me të, lindi Francesca-n.
Por, për shkak të burokracive, martesa nuk u celebrua dhe dhëndri i ri dërgohet për të luftuar në Rusi.
Prej tre vitesh nuk morën asnjë lajm prej tij, aq sa Maria mendoi se kishte vdekur.
Kur më 26 prill të 1944 sjell në jetë vajzën e saj, e quan Francesca Rosalba Trivella, duke i dhënë kështu mbiemrin e babait të saj.
Kur ushtaraku rikthehet më në fund në shtëpi, sheh Marian me një tjetër burrë dhe një fëmijë në krahë.
“Bindet se nëna ime nuk ishte shtatzanë me të dhe se burri që pa ishte partneri i saj”, shpjegon Francesca. E në fakt, burri ishte vërtet partneri i saj, ndërsa fëmija është motra e Francesca-s.
Kështu, babai i Francesca-s largohet sërish dhe shkon në Sardenjë, pa e ditur kurrë se kishte një vajzë me Marian.
Në Sardenjë martohet me Giovanna-n dhe rrit me të 6 fëmijë, derisa vdes në vitin 1996.
Vite më vonë, përmes një halle, të gjashtë fëmijët zbulojnë se kishin një motër, duan ta njohin me çdo kusht.
Menduan madje edhe t’i drejtoheshin programit të Maria De Filippi, “C’è posta per te”, “por nuk dinin si të vepronin sepse kishin pak informacione për mua”, shpjegon 75-vjeçarja.
Në fund, ishte Facebook që i bëri të takoheshin.
“Dërguan mesazhe në rrjetin social tek të gjithë personat që kishin të njëjtin mbiemër me mua”, rrëfen gruaja e cila tanimë është mëse e lumtur që i njohu të gjithë.