Memaliaj, përveç veteranëve të Luftës së dytë Botërore dhe asaj të minierës, ka patur edhe veteran të Luftës së Parë Botërore. Një prej tyre është edhe Asllan Caushi i cili u lind në vitin 1890-të, në fshatin Levan të Tepelenës me prindër Filo dhe Hava Caushi. Kohë më parë, fshatin Levan të Tepelenës, e njihnin edhe si “Levan Cirua”, toponim ky, si arsye se Levani i Fierit është më i madh. Origjina e lashtë e familjes Caushi, rrjedh nga Borshi, ku në këtë trevë, është një çezëm që mban emrin “Levan Cirua“. Ky toponim ekziston edhe sot, në kujtim të të migruarve nga Levani. Largimi nga Borshi i familjes Caushi, është bërë për hasmëri këtu e para 400 vjetësh.
Në familjen Caushi ishin tre vëllezër: Hyseni, Asllani, Sadiku dhe e motra e tyre Bejaze. Vëllai i madh Hyseni, mbas mësymjes nga grekët, në vitin 1914 vendos të largohet dhe mori rrugët e kurbetit për në Turqi dhe vendoset në Ankara, aty ku krijoi familjen e tij. Që prej asaj kohe, nuk kanë marr asnjë lajm për jetën e tij. Asllani vjen në moshë për t’u martuar dhe vendos të hapë familje me një vajzë nga fshati Rodenj i Përmetit të cilën e quanin Këze. Ajo rriidhte nga një familje fisnike me mbiemrin Muçollari. Asllan Filo Caushi ka qënë luftëtar dhe patriot i madh shqiptar që bënte pjesë në çetën e Vlorës në luftë kundër pushtuesve.
Ai bashkë me çetën e tij që ishte në ruajte të Ismail Qemal Bej Vlorës, ka marr pjesë në Shpalljen e Pavarësisë së Kombit Shqiptar që u bë në Vlorë më 28-nëntor të vitit 1912-të. Përgjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ka studiuar në një akademi ushtarake që ndodhej në ato vite (rreth 1915-ës), në qytetin e Fierit dhe vazhdoi të luftonte sërish krah për krah luftëtarëve të tjerë shqiptarë. Nga një fotografi e vjetër e vitit 1920, e tregon patriotin Asllan Filo Caushin, veshur me fustanellë dhe duke mbajtur dyfekun me dorën e djathtë.
Më vitin 1924, braktisi punën dhe u bashkua me forcat e Fan Nolit, që ishin nën drejtimin e Riza Cerovës. Mbas humbjes ai u përndoq për pesë vjet, derisa Zogu u vetshpall mbret dhe bëri amnisti. Gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Asllan Caushi ishte kryeplak i fshatit Levan të Tepelenës. Për fat të mirë edhe sot e kësaj dite ekzistojnë një pal dylbi, një fotografi e 1912-s me një kostum kombëtar, me pushkë e gjerdanin e tij dhe një deklaratë të shkruajtur dhe të nënshkruar nga tre bashkëluftëtarë. Patrioti Asllan Caushi kishte dhe një vajzë me emrin Havako, e cila u nda nga jeta në moshë shumë të vogël, shkak i një sëmundje të pashërueshme.
Asllani ka qenë shumë mirë nga gjendja ekonomike, ka pasur prona, toka dhe blegtori në fshatin e tij. Përgjatë kohës që ai ka punuar në Fier dhe Berat, paguante të tjerët për t’u kujdesur për pronat e tij. Gjithashtu, disa nga këto të ardhura, ai donte që t’i përdorte edhe për shkollimin e të dy djemve të tij. Më vonë, bashkë me familjet e të dy djemve të tij, ai vendoset me banim në Memaliaj, ku bashkë me ta punoi për disa vjet në minierë. Ai ndërron jetë më 20.03.1960 në qytetin e Memaliajt. Më vonë, ndërrojnë jetë edhe të dy djemtë e tij, por këta lanë pas edhe djemtë e vajzat e tyre me nipër e stërmbesa.
Dy djemtë e tij, Haxhiu dhe Karafili kanë dhënë kontributin e tyre edhe në çlirimin e vendit nga pushtuesit fashisto-nazist. Haxhiu, burgoset nga pushtuesit italianë për katër vjet në ishullin e Korfuzit, si mbështetës i Lëvizjes Anti-fashiste. Paasi lirohet nga ushtria gjermane si i burgosur nga ushtria ilaliane, kthehet në vendlindje dhe i bashkohet çetave partizane që luftonin për çlrimin e zonës. Ndërsa Karafili, kur ishte vetëm 16 vjeç në 1942-in, i përgjigjet thirrjes së tij të brendshme patriotike, për t’iu bashkuar me armë në dorë Lëvizjes Anti-fashsiste për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit fashistë. Ai rreshtohet krah për krah me partizanët e batalionit “Baba Abaz”, e më vonë në radhët e Brigadës së XVI-të sulmuese duke luftuar deri në çlirimin e plotë të vendit.
Të dy djemtë, Haxhiu dhe Karafili bashkë me familjet e tyre, kanë dhënë kontribut të madh jo vetëm në hapat e para të ndërtimit të këtij qyteti, por edhe në fusha të tjera që lidhen me jetën artistike, kulturore dhe atë sportive. Është krenari që të përmendet kontributi i djalit të tij Karafil Caushi të cilit i kam dedikuar me meritë edhe një shkrim të titulluar: “Karafil A. Caushi, përfaqësues i denjë i kulturës bashkëkohore për Tepelenën.”, i cili ngelet një nga figurat historike më me kontribut në kulturën sportive; nga më popullore; nga më të respektuarat në të gjithë rrethin e Tepelenës. Me meritë FSHF-ja e ka nderuar me titullin “Mjeshtri i sportit” (1996). Me emrin e këtij tepelenasi të denjë, kanë pagëzuar stadiumin e futbollit të Memaliajt i cili quhet: “Stadiumi Karafil A. Caushi” (1996). Ndërsa në vitin 2006, e kanë vlerësuar me titullin “Mësues i Shquar i Qarkut të Gjirokastrës” dhe në vitin 2007, e kanë nderuar me titullin “Qytetar Nderi të Memaliajt”.
Gjithashtu ja vlen të theksojë se, edhe patrioti Asllan Filo Caushi, është një figurë që ja shtonë akoma më shumë vlerat historike qytetit tonë. Ky patriot e meriton plotësisht të jetë “Qytetar Nderi” i Memaliajt.
Edmond Ismailati
New York City