Memaliaj është vendi ku kanë banuar edhe brezi i heronjve të luftës, punës, njerëzve të thjeshtë dhe me zemër të madhe! Një prej tyre është edhe veterani Shero Kalemi. Ai u lind, më 23 shkurt të vitit 1918-të, në Qeserat të Tepelenës, me prindër Shefiko dhe Çoban Kalemi.
Është fëmija i dytë, nga tre fëmijët e kësaj familje atdhedashëse. Babai i tij, Çoban Kalemi, ka dhënë kontributin e tij, si kryeplak i fshatit, për të ndihmuar Lëvizjen National-Çlirimtare, duke nxitur të rinjtë, për t’u përfshirë në luftën për çlirimin e vendit. Me këtë frymë patriotike, u rrit edhe i biri i tij, Shero Kalemi, i cili pasi kreu arsimin bazë fillor për kohën dhe me vonë, krahas punëve në ndihmë të familjes, filloi të përfshihet me lëvizjen kundra pushtuesve.
Në moshën 25-vjeçare, bëhet pjesë e Batalionit Baba Abaz, dhe me krijimin e Brigadës së 6-të Sulmuese, rreshtohet krah për krah partizanëve të kësaj brigade, duke luftuar deri në ish-Jugosllavi, për të çliruar Kosovën. Pas çlirimit të vendit, nê vitin 1945-ë, u kthyen nga Jugosllavia dhe u aktivizua me forcat e sigurisë së vendit, në qytetin e Korçës, ku ka punuar deri në vitin 1948-të.
Në vitin 1947-të, krijon familje me Bedine Bilo, e bija e Sose dhe Asllanit nga fshati Kurtëz i Buzit të Tepelenës. Edhe kjo familje, e ka ndihmuar LANÇ-re, me djalin e tyre Qerim Bilo, i cili u inkuadrua në radhët e partizanëve të Brigadës së 5-të Sulmuese.
Në qytetin e Memaliajt, ka ardhur fillimisht në vitin 1949-të, pasi ishin caktuar nga pushteti i kohës të merreshin me organizimin e punës për Minierën e Qymyrgurit të Memaliaj, e cila u shpall ndërmarrje më 15 Korrik 1949-të, ku emri i Shero Kalemit, është edhe ndër emrat e tjerë të themeluesve të kësaj miniere.
Pas një viti të themelimit të minierës, thirret përsëri në Policinë e Shtetit dhe në periudhën kohore 1950-60-të, ka shërbyer në qytetin e Gjirokastrës, të Tepelenës dhe të Memaliajt. Në vitin 1960-të, u rikthye në Minierën e Memaliajt dhe punoi për 10-vjet, deri sa doli në pension.
Në vitin 1970-të, del në pension dhe organizohet gjerësisht me organizatën e veteranëve. Të gjithë e njohin për një gjuetar shumë të apasionuar dhe që përdorte një çifte italiane, të prodhuara nga kompania italiane “Beretta”.
Ka marrë pjesë në shumë aksione vullnetare që zhvilloheshin në atë kohë. Për kontributin e tij, është dekoruar me medalje të Luftës dhe të Punës. Ndërroi jetë, më 23 dhjetor të vitit 2014-të.
Familja e Bedine dhe Shero Kalemit bëhet e madhe, duke i ardhur në jetë, shtatë fëmijët, emrat e të cilëve janë: Lavdie, Avni, Remzi, Përparim, Luljeta, Vjollca dhe Edmond. Me sakrifica dhe përkushtim, rritën fëmijë të edukuar dhe arsimuar për kohën. Katër prej fëmijëve, kanë mbaruar arsimin e lartë. Vajza e madhe, Lavdie Naqellari, ka mbaruar arsimin e lartë dhe ka punuar fillimisht në Tepelenë duke drejtuar Bashkimet Profesionale të Rrethit Tepelenë. Më vonë, ka qenë drejtuese kuadri në disa institucione të qytetit të Tiranës. Përparimi, ka mbaruar shkollën e mesme të Kulturës në Tiranë dhe arsimin e lartë për mësuesi. Ka punuar drejtues kulture dhe drejtor shkolle, në rrethin e Tepelenës. Nga viti 1990-të, e në vazhdim, punon si mësues dhe drejtues shkollash në rrethin e Tiranës. Remzi Kalemi, i cili ka përfunduar studimet e larta për mësuesi dhe ka punuar si mësues dhe drejtues i suksesshëm, në disa nga shkollat më të mira të qytetit të Fierit. Ka mbaruar si fakultet të dytë edhe Akademinë e Rendit në Tiranë dhe ka shërbyer dhe si drejtues i Shërbimit Informativ Kombëtar për rrethin e Kolonjës dhe Qarkun e Fierit. Ka dhënë kontribut edhe në mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në botë, duke qenë në bordin drejtues të “Organizatës Ndërkombëtare Lidhja e Shqiptarëve në Botë”, duke përfaqësuar shqiptarët e Firences në Itali. Vlen të përmendet kontributi i tij, për organizimin e shkollave shqipe në Ukrainë, ku banon një komunitet prej 5000 shqiptarësh, familjet e të cilave janë me origjinë nga Korça, të cilët u larguan që në fillimet e pushtimit të vendit nga Perandoria Osmane, duke u vendosur për 200 vjet me banim në Bullgari, e pas kësaj periudhe, një pjesë e tyre u vendosën në Ukrainë, ku vazhdojnë të jetojnë për 300 vjet. Luljeta, ka mbaruar shkollën e mesme në Memaliaj dhe më vonë arsimin e lartë mekanik në Tiranë. Avniu dhe Edmondi kanë punuar në qytetin e Memaliajt, në sektorin e Komunales.
Këtë traditë e vazhduan edhe mbesat dhe nipërit e tij, të cilët e njohën ngrohtësinë e gjyshit të tyre dhe në veçanti, këshillën e tij për të ndjekur shkollën si rruga më e mirë për t’u orienuar në jetë. Do të përmendim, Nertila Remzi Kalemin, e cila përfundoi studimet e larta për mjekësi dhe njëkohësisht përfundoi një fakultet të dytë për farmaci. Punon si mjeke e suksesshme në qytetin e Tiranës. Emiliana Remzi Kalemi, e cila ka përfunduar studimet e larta për gjuhë angleze dhe punon mesuese e gjuhës angleze në një nga shkollat e suksesshme të qytetit të Fierit. Borana Përparim Kalemi, ka përfunduar studimet e larta për ekonomi, pasuniversitar në një nga universitetet më të rëndësishëm të Kores së Jugut. Ndërsa mbesa Etleva Naqellari, që ka studiuar për teknologji, është vajza e Lavdies dhe e Inxh. Pirro Naqellarit që ka punuar si inxhinier elektrik dhe kujtohet me respekt nga bashkëqytetarët dhe më gjerë. I nipi dhe mbesa e tij, Gerton dhe Armela Gjoka, janë fëmijët e Luljetës. Gertoni ka përfunduar studimet e larta për inxhinieri elektrike dhe Armela që është diplomuar për inxhinieri gjeodezi. Ndërsa i nipi i tij, Elton Bici, është diplomuar për gjuhën angleze në “Universitetin e Tiranë, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja”, i cili është djali i Vjollës.
Kontributi i veteranit Shero Kalemi, që ka dhënë në LANÇ, atë të sigurisë së vendit, paharruar edhe si një nga punonjësit e parë të policisë vendore të qytetit të Memaliajt dhe një ndër pionierët e parë të themelimit të minierës së qymyrgurit që lidhet me emrin e këtij qyteti, do të kujtohet me nderim dhe mirënjohje të thellë, pasi plejada e këtyre njerëzve të thjeshtë dhe të sakrificave, do vazhdojnë të na bëjnë krenar dhe do frymëzojnë ndër breza.
Lavdi veprës dhe kontributit të veteranit, Shero Kalemi.
Edmond Ismailati
18 Janar 2021