Në Shtetet e Bashkuara, Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten një ligj që vendoste disa kufizime për mbajtjen e armëve në shtetin e Nju Jorkut, një vendim ky që pritet të ketë ndikim në shumë shtete të tjera sa i përket armëmbajtjes.
6 gjyqtarë votuan pro rrëzimit të ligjit dhe 3 votuan kundër, ndërsa pritet që pas këtij votimi shumë njerëz të mbajnë armë në rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit, duke përfshirë Nju Jorkun, Los Anxhelosin, Bostonin etj.
Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara rrëzohet një ligj 100-vjeçar i shtetit të Nju Jorkut që iu kërkonte banorëve të tregonin se kishin nevojë të veçantë, në mënyrë që të mbanin një armë me vete në publik.
Gjykatësi Clarence Thomas, i cili shprehu qëndrimin e shumicës së kësaj gjykate, tha se Kushtetuta mbron “të drejtën e një individi për të mbajtur një pistoletë për vetëmbrojtje jashtë shtëpisë”.
Autoritetet në Nju Jork reaguan të zemëruara nga vendimi, i cili hedh poshtë atë të marrë nga gjykata vendore që kufizonte armëmbajtjen.
“Vendimi nuk është thjesht i pamatur. Ai është i qortueshëm. Nuk është kjo ajo që duan qytetarët tanë dhe ne duhet të kemi të drejtën të përcaktojmë se çfarë duam në shtetin tonë. Nëse qeveria federale nuk do të ndryshojë ligjet për të na mbrojtur, atëherë shtetet tona dhe guvernatorët kanë përgjegjësinë morale të bëjnë atë çka munden. Dhe ne kemi ligje që mbrojnë qytetarët tanë për shkak të asaj që po ndodh; çmenduria e kulturës së armëve që ka përfshirë këdo, deri në Gjykatën Supreme”, tha Kathy Hochul, guvernatore e Nju Jorkut.
Shoqata lobiste e armëve, NRA, mirëpriti vendimin e instancës më të lartë gjyqësore përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Vendimi vjen rreth një muaj pasi një 18-vjeçar përdori një armë automatike për të vrarë 10 afro-amerikanë në një treg në Bufalo, si dhe pasi një i ri i së njëjtës moshë përdori një armë të ngjashme për të vrarë 21 persona në një shkollë fillore në Teksas.