Viktoria Makarova, menaxhere në një kompani ndërtimi në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, po i kalon ditët e saj duke mësuar arte marciale dhe si të përdorë armë.
Në një kohë kur kërcënimi rus është më i madh se kurrë, ajo thotë se është momenti që të përgatitet për të mbrojtur vendin, shtëpinë dhe familjen e saj.
“Ne nuk do të largohemi, nuk do ta braktisim qytetin tonë, ndaj duhet të mësojmë se si ta mbrojmë”, shprehet Viktoria Makarova, menaxhere.
Në një intervistë të dhënë për “Washington Post”, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskij tha se Kharkiv mund të jetë qyteti i parë që sulmohet nga forcat ruse.
Situata ka bërë që kërkesa për të ndjekur kurse ushtarake dhe vetëmbrojtjeje të rritet ndjeshëm në radhët e civilëve.
Shumica janë gra. Mes tyre edhe Dariya Konokh, 23 vjeç, studente juridiku. “Ky është vendi i duhur për vajzat – shpjegon – Njoh mjaft ushtare profesioniste dhe besoj se çështja e gjinisë në këtë kontekst është e pavlerë”.
Nga ana e saj, Rusia ka mohuar akuzat se po planifikon pushtimin e Ukrainës, por trupat e saj në kufi me vendin fqinjin kanë bërë që tensionet dhe frika për pushtim të rriten.