Koha që po jetojmë ka si një ndër tiparet e veta dalluese shpejtësinë.
Komunikohet në kohë reale, ecet me makinë, udhëtohet me avion. Brenda një dite mund të bësh punë që para 25 vjetësh të duhej një javë t’i bëje. Mund të nisesh në mëngjes për në Romë, të hash drekë e të kthehesh në darkë të flesh në shtëpinë tënde. Po ashtu në bankë mbaron punë shpejt, në spital ka instrumeta që mund të diagnostikojnë brenda pak minutash.
Gjithçka ecën shpejt e kjo na ka çuar drejt një situate që edhe zgjidhjet i duam shpejt e në kohë reale. Shpejtësia ka vrarë durimin dhe pritjen, në një farë mënyre dëshirën. Dëshira ka kuptim kur ka një pritje. Kur një dëshirë realizohet në momentin që mendohet nuk është më dëshirë.
Provoni të lini secilin prej nesh më shumë se një gjysëm dite pa telefon dhe pa mundësinë për t’u lidhur në internet. Krijohet një ankth i vërtetë, madje është si një vullkan i papërmbajtshëm. Duam që të jemi në kohë reale të pranishëm në botë, sepse vendbanimi ynë është transferuar. Tashmë kemi hyrë në një epokë tjetër dhe në një shtëpi tjetër, në një botë tjetër: bota e rrjetit.
Por bota e rrjetit është kthyer në një botë rrjete, në të cilën ne kemi ngecur e nuk dimë të dalim më.
Sapo hasim në botën reale, ku koha dhe hapësira kanë një vlerë tjetër, më të ngadaltë, më reflektive, ne ndjehemi si peshku pa ujë e atëherë vrapojmë drejt rrjetës. Nuk e durojmë më dot botën reale ku duhet me prit, me dëgju, me bisedu, më vra mendjen e me gjet zgjidhje.
Kemi humbur artin e pritjes që quhet dëshirë. Desiderantes ishin ushtarët romakë që nën shkëlqimin e hënës prisnin shokët e tyre të ktheheshin nga fronti.
Nuk ka më desiderantes, sepse ne “shokët” i kemi gjithë kohën on line e nuk i presim më …
Mbrëmje të bukur!
- Gjergji