Extra Në orbitë nuk ka luftë: E vetmja fushë ku SHBA dhe Rusia...

Në orbitë nuk ka luftë: E vetmja fushë ku SHBA dhe Rusia ende po bashkëpunojnë

Nuk ka paqe në Tokë, por Rusia dhe SHBA-ja kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fushën e hapësirës.

Tre kozmonautë rusë – komandanti Oleg Artemyev, Denis Matveev dhe Sergey Korsakov u nisën të premten për një mision gjashtëmujor.

Treshja u mirëprit pozitivisht në bord nga një ekuipazh që përbëhet nga katër amerikanë, dy rusë të tjerë dhe një gjerman.

Lajmi vjen vetëm disa ditë pas lajmit se astronauti amerikan Mark Vande Hei, i cili shënoi një rekord të NASA-s për 355 ditë në orbitë do të largohet nga ISS.

Në orbitë nuk ka luftë

Tre kozmonautë rusë mbërritën në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), duke iu bashkuar me kapsulën Soyuz misionit të përbashkët ruso-amerikan që vijon në orbitë prej 23 vitesh.

Ekipi i ri i kozmonautëve u ngrit nga kozmodromi rus Baikonur në Kazakistan dhe u ankorua në stacionin ndërkombëtar, ku do të qëndrojë për 6 muaj e gjysmë.

Nisja u transmetua drejtpërdrejt nga NASA TV dhe në faqen e internetit të agjencisë amerikane të hapësirës.

Tre kozmonautët i shtohen ekuipazhit aktual prej shtatë anëtarësh të stacionit për të zëvendësuar tre të tjerë që janë planifikuar të kthehen përsëri në Tokë më 30 mars – kozmonautët Pyotr Dubrov dhe Anton Shkaplerov dhe astronauti i NASA-s amerikan Mark Vande Hei.

Në bordin e ISS me të ardhurit deri në rotacionin tjetër dy muaj më vonë janë tre astronautë të NASA-s – Tom Marshburn, Raja Chari dhe Kayla Barron – dhe shoku gjerman i ekuipazhit Matthias Maurer i Agjencisë Evropiane të Hapësirës.

Këta katër anëtarë të ekuipazhit mbërritën në ISS në nëntor në bordin e një anijeje SpaceX Creë Dragon të nisur nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida.

E lëshuar në vitin 1998, platforma kërkimore që rrotullohet rreth 400 km (250 milje) mbi Tokë është pajisur me ekuipazh që rinovohet herë pas here që nga nëntori 2000 ndërsa operohet nga një partneritet i udhëhequr nga SHBA-Rusi, përfshirë Kanadanë, Japoninë dhe 11 vende evropiane.

Megjithatë, lufta në Ukrainë ka ndikuar në anulimin e lëshimit të anijeve kozmike dhe prishje të kontratave. Shefi i Roscosmos, Dmitry Rogozin, ka paralajmëruar se SHBA-së do të duhet të gjejë opsione për të fluturuar në hapësirë ​​pasi Rusia tha se do të ndalonte furnizimin me motorë raketash për kompanitë amerikane. Shumë shqetësohen se Rogozin po vë në rrezik dekada të një partneriteti paqësor jashtë planetit, veçanërisht në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Administratori i NASA-s, Bill Nelson, megjithatë, nuk është pesimist. “Ky është Dmitry Rogozin. Del herë pas here. Por në fund të fundit, ai ka punuar me ne. Të tjerët që punojnë në programin hapësinor civil rus, janë profesionistë. Ata nuk mungojnë asnjëherë në bashkëpunimin me astronautët amerikanë dhe kontrollin e misionit amerikan.”