Donald Trump njoftoi tre muaj para se të zgjidhej president (5 nëntor 2024), se kishte kishte caktuar J.D. Vance si kandidatin e tij për zëvendëspresident të SHBA-ve.
Vance, një senator nga Ohio ka një histori të veçantë: është mjaft i ri (39 vjeç), por në kontekstin e politikës amerikane është origjinal mbi të gjitha për një karakteristikë estetike. Mjekra.
Ai në fakt do të jetë, i pari mes presidentëve dhe zëvendëspresidentëve të SHBA-ve, që do të mbajë mjekër që nga viti 1893, kur mbaroi mandati i presidentit, Benjamin Harrison.
Shumë e zakonshme në shekullin e 19-të, mjekra u zhduk nga fytyrat e politikanëve më të rëndësishëm amerikanë për më shumë se një shekull. Në përgjithësi, në të gjithë botën perëndimore ka pasur pak krerë qeverish ose shtetesh me mjekër.
Ka përjashtime, por ato janë të kufizuara, ndërsa politikanët me mjekër janë shumë më të zakonshëm gjetkë, jo vetëm në vendet islame (ku mjekra ka konotacion fetar), por edhe në Amerikën e Jugut apo Indi.
Mjekra e J.D Vance ishte objekt i vëmendjes në Shtetet e Bashkuara në javët para se të zyrtarizohej si kandidat për nënpresident: në fakt, besohej se kjo karakteristikë mund ta penalizonte atë në marrjen e postit.
Për shumë vite, thuhej se Trump nuk i vlerësonte njerëzit me mjekër dhe u kërkoi punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të tij ta hiqnin atë.
Në një intervistë me “Fox News” në korrik të këtij viti, Trump iu përgjigj një pyetjeje mbi këtë temë: “Ai është mirë, duket si një Abraham Lincoln i ri”, tha duke iu referuar zëvendësit të tij.
Ngjashmëritë mes Vance dhe Lincoln në fakt janë të vështira për t’u dalluar, madje edhe stili i mjekrës është padyshim i ndryshëm, por në botën e politikës amerikane presidenti i vrarë në vitin 1865 ende konsiderohet si referencë për politikanët me mjekër.
Ai ka qenë i pari që e ka pasur dhe është i dokumentuar edhe momenti në të cilin ka vendosur ta rrisë. Atij iu sugjerua rritja e mjekrës nga një vajzë 11-vjeçare nga Nju Jorku gjatë fushatës së tij të parë presidenciale, me një letër që thoshte se do t’i shkonte mirë fytyrës së tij të bukur.
“Të gjitha gratë e duan mjekrën”, – shkroi vajza e vogël, gjë që duket se bindi burrat të votonin për të (në atë kohë gratë nuk votonin). Lincoln iu përgjigj duke i thënë se do të dukej “i çuditshëm”, por më pas e rriti atë.
Lincoln vendosi trendin dhe në dekadat në vijim shumë politikanë të mëdhenj dhe disa nga presidentët dhe nënpresidentët që pasuan kishin mjekra të trasha ose të gjata (përjashtim ishte pasardhësi i tij, Andrew Johnson).
Kjo zgjati deri te Harrison, presidenti i 23-të (Lincoln ishte i 16-ti), ndërsa tendenca e mustaqeve, edhe më e zakonshme, zgjati disa dekada më shumë.
Në shekullin e njëzetë në Perëndim, rruajtja u bë një domosdoshmëri estetike për politikanët, por në përgjithësi për të gjithë personazhet publikë dhe në shumë profesione: për shumë dekada në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë u pa një mjekër e parregullt, apo edhe jo e rruar në mënyrë perfekte në shenjë shkujdesjeje, respekti të vogël dhe përjashtimi vullnetar nga “kuvendi civil”.
Në debatin historik mes John Fitzgerald Kennedy-t dhe Richard Nixon-it në vitin 1960, mes problemeve të ndryshme estetike të Nixon-it, u raportua edhe një mjekër “dy-ditore”, jo e rruar mirë.
Gjërat filluan të ndryshonin në gjysmën e dytë të viteve 1960, kur mjekra merrte ndonjëherë një rol pretendimi politik, e lidhur mbi të gjitha me lëvizjet e majta.
Në kohët e fundit, mjekra është bërë më e zakonshme për sipërmarrësit, CEO-t dhe personalitetet televizive, duke humbur shumë nga konotacioni i tij ideologjik, por ajo ka mbetur ende një përjashtim në botën politike.
Në Shtetet e Bashkuara, Al Gore u rishfaq në publik pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 me mjekër, e cila në atë kohë u përkufizua si një “mjekër mërgimi” dhe interpretuar si një shenjë e braktisjes së ambicieve politike.
Në vitin 2015, republikani Paul Ryan rriti mjekrën dhe kështu u bë kryetari i parë i Dhomës (një lloj presidenti i dhomës, por me një rol operacional në menaxhimin e agjendës politike), që e mbante atë në mbi 100 vjet.
Kjo ngjalli disa debate dhe shkaktoi disa studime dhe kërkime. Një prej tyre, nga Universiteti Shtetëror i Oklahomas, i cili llogariti se në atë kohë, më pak se 5 për qind e anëtarëve të Kongresit kishin mjekër ose mustaqe dhe theksoi se si një kandidat me mjekër ende perceptohej ndryshe nga elektorati: “Më i prirur për të mbështetur përdorimin e dhunës dhe më pak mbështetje për kauzat feministe”.
Hulumtimi u krye duke i treguar disa studentëve foto të deputetëve me mjekër dhe të tjerëve të ngjashëm në pamje dhe më pas duke bërë një sërë pyetjesh se si ata perceptoheshin.
Rezultatet konfirmuan disa stereotipe: burrat me mjekër konsideroheshin më kompetent, të sigurt dhe më të fuqishëm, por edhe më shovinistë, agresivë dhe të predispozuar ndaj shpenzimeve ushtarake, përdorimit të forcës dhe kundër kontrollit të armëve.
Hulumtimi arriti në përfundimin se pavarësisht opinionit të përhapur se mjekra ishte e neveritshme për votuesit, mund të zgjidhej një politikan i parruar, por do të duhej të konsideronte se mund të haste më shumë rezistencë mes votueseve femra.
Ryan më pas iu rikthye një pamjeje të pastër, ndërsa senatori Ted Cruz, i cili kandidoi në zgjedhjet paraprake republikane në vitin 2016, nuk e braktisi kurrë mjekrën që e rriti në vitin 2018 dhe u kthye në qendër të mediave në evolucionin e tij (së pari u kritikua dhe u tall e, pastaj u vlerësua).
Por nuk është vetëm një fenomen amerikan: në vitin 2015, Stephen Crabb u bë anëtari i parë i një qeverie konservatore britanike që kishte mjekër në njëqind vjet histori.
Jeremy Corbyn, lider i laburistëve nga viti 2015 deri në vitin 2020, ishte një nga të paktët politikanë britanikë shumë të dukshëm që mbante mjekër.
Krahasuar me shekullin e nëntëmbëdhjetë, në shekullin e 20-të, në të gjithë Perëndimin mjekra humbi gradualisht tërheqjen e saj nga pikëpamja e respektit shoqëror, kryesisht për shkak të afirmimit të standardeve të reja në lidhje me higjienën dhe lehtësisë gjithnjë e më të madhe të rruajtjes, me hyrjen e brisqeve njëpërdorimshe.
Por sipas Victor Vey, sociolog në Universitetin “Paris 8 Vincennes-Saint-Denis”, ka edhe elementë të tjerë, siç raportohet nga revista franceze “Femina”: “Rruajtja është pjesë e një grupi praktikash që demonstrojnë vetëkontroll dhe aftësi menaxhuese dhe këto konsiderohen vlera kyçe”.
Vey thotë se duke u shfaqur i rruar pastër, tregohet kujdesi për trupin, së bashku me shumë gjëra të tjera për të menaxhuar dhe se për më tepër “mungesa e mjekrës ngjall rininë, pra risi dhe freski”.
Një tjetër përjashtim evropian ka të bëjë me ish-kryeministrin spanjoll Mariano Rajoy, lider i Partisë Popullore, në qeveri nga viti 2011 deri në 2018.
Sipas raporteve të mediave spanjolle, Rajoy vendosi të rrisë mjekrën edhe për të fshehur disa plagë pas një aksidenti automobilistik në vitin 1979, kur ai ishte 24 vjeç.
Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky e ndaloi rruajtjen çdo ditë pas pushtimit të vendit të tij nga Rusia dhe mjekra është bërë pjesë e pamjes së tij ushtarake.
Charles Michel, president në largim i Këshillit Evropian dhe më parë kryeministër belg midis 2014 dhe 2019, prej kohësh ka zgjedhur mjekrën për arsye thjesht estetike.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau u kthye me mjekër nga festat e Krishtlindjeve në ditët e para të viti 2020 dhe e mbajti për disa muaj: Trudeau ka ndryshuar disa herë look-un e tij ndër vite, duke tërhequr gjithmonë vëmendje të konsiderueshme.
Edhe në Itali mjekra mbetet një përjashtim, të paktën për sa i përket kryeministrave: ishte e shpeshtë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në epokën monarkike (Alfonso La Marmora, Giovanni Lanza, Agostino Depretis, Benedetto Cairoli, vetëm për të përmendur më të njohurit), ndërsa Giovanni Goria, i Demokristianëve dhe në krye të qeverisë midis viteve 1987 dhe 1988, ishte i vetmi nga periudha e pasluftës e deri më sot.
Në atë kohë Goria, në moshën 44-vjeçare, ishte kryeministri më i ri në historinë italiane (më pas u tejkalua nga Matteo Renzi): mjekra, e përcaktuar si “profesori”, kontribuoi në një imazh më autoritar dhe ekspert, në një periudhë në të cilat politika italiane nuk ishte mësuar me liderët e rinj.
Mjekra më e dukshme e dekadave të fundit të politikës italiane, megjithatë, ishte dukshëm ajo e Matteo Salvinit, i cili e rriti atë në vitin 2013, kur u zgjodh për herë të parë Sekretar i Ligës së Veriut.