Bota Në prag të takimit, Putin: Biden është ndryshe nga Trump, nuk do...

Në prag të takimit, Putin: Biden është ndryshe nga Trump, nuk do ketë lëvizje impulsive

Samiti i parë post-pandemisë i G7-s do të pasohet nga një tjetër samit i rëndësishëm. Joe Biden do të takohet me Vladimir Putin në Gjenevë të mërkurën. Ky është takimi i parë që nga zgjedhja e Biden, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë në minimumin historik.

Por ndryshimi qëndron në faktin se për shkak të karrierave të gjata, Biden dhe Putin e njohin njëri-tjetrin, sikurse kreu i Kremlinit tha në një intervistë për NBC.

“Kemi një marrëdhënie dypalëshe që ka rënë në nivelin më të ulët të viteve të fundit. Presidenti Biden natyrisht, ndryshon rrënjësisht nga Trump sepse është një politikan karriere. Ai e ka kaluar gjithë rininë e tij në politikë. Mendoni për vitet që ka kaluar në Senat. Pra, është një person ndryshe. Dhe shpresa ime është që po, ka disa avantazhe, disa dizavantazhe, por nuk do të ketë lëvizje impulsive për llogari të presidentit të ri amerikan”, u shpreh presidenti rus.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë tha se vetëm Biden do të flasë për shtypin pas takimit, duke mos i lënë shteg medias dhe vëzhguesve të tjerë për të bërë krahasime të reagimeve të tyre me daljen e përbashkët të ish-presidentit Trump dhe Putin pas takimit që zhvilluan në vitin 2018 në Helsinki.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu tha se pret që takimi Biden-Putin “të jetë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë” dhe se Biden do të ngrejë shqetësimin për sulmet kibernetike bllokuese me origjinë në Rusi, agresionin e Kremlinit ndaj Ukrainës, burgosjen e kundërshtarëve politikë dhe çështje të tjera. Të dy udhëheqësit pritet gjithashtu të flasin për stabilitetin strategjik bërthamor dhe marrëdhëniet e keqësuara mes Rusisë dhe Perëndimit.