Policia arrestoi shtetasin Bujar Leza, si bashkëpunëtori i pestë në vrasjen e Behar Sofisë në 25 Shkurt të këtij viti pranë Piramidës, në qendër të Tiranës.
Leza ishte vënë në pranga më herët nga policia për “Dhunë në familje” dhe masa e sigurisë lëshuar nga Gjykata e Posaçme iu komunikua në ambientet e burgut të Fushë Krujës.
Sipas hetimeve që fillimisht u kryen nga Prokuroria e Tiranës dhe më pas u morën nga SPAK, 45-vjeçari së bashku me të hetuarin tjetër Leonard Xhixha, kanë vëzhguar lëvizjet e viktimës.
Ndaj Lezës rëndojnë akuzat e “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim si pjesë e një grupi kriminal.
Më herët, autoritetet kanë vënë në pranga shtetasin Ernejt Shyti si ekzekutor i 66-vjeçarit Behar Sofia, Skënder Vathin, Leonar Xhixhën dhe Xhuljano Vishën si bashkëpunëtor në vrasje.