Rreth 150 kilometra larg kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës, 15 avionë supersonik luftarakë rusë janë rreshtuar në një bazë ushtarake, në pritje të urdhrave nga Kremlini për të vepruar.
Pamjet e avionëve janë kapur nga kamerat satelitore, në një tjetër dëshmi të tensionimit të situatës në një prej pikave më të nxehta të globit. Në fotot e publikuara nga Reuters dhe Agjencia Satelitore Maxar Technologies, avionët bombardues rusë, model 15 Su-34, janë vendosur në bazën ajrore “Morozovsk”, një tjetër provë e rritjes së aktivitetit ushtarak rus në javët e fundit.
Me një shpejtësi maksimale prej 2200 km/h, këta avionë janë të pajisur me predha me lazer dhe një armë automatike që lëshon rreth 1800 plumba në minutë.
Edhe në baza të tjera ruse, në Krime, aktiviteti ushtarak është rritur ndjeshëm, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Joseph Borrell, deklaroi dy ditë më parë se në vijën kufitare mes dy shteteve janë vendosur rreth 150 mijë trupa.
Avionët janë dërguar së fundmi në bazën “Morozovsk”, pasi në foto satelitore të realizuara në muajin mars ata nuk duken aty. Rusia ka shtuar edhe aktivitetin në Detin e Zi, ku disa anije luftarake janë vënë në lëvizje, pas njoftimeve se dy destrojerë amerikanë do të mbërrinin atje.
Rusia dhe Ukraina janë të përfshira në një konflikt prej 7 vitesh tashmë, më i përgjakshmi në Europë që prej luftërave në Ballkan në fund të viteve 1990. Të paktën 14000 persona kanë humbur jetën që prej pushtimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, ndërsa 1,5 milionë persona mendohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre. Rusia propozon që Ukraina të kthehet në shtet federativ dhe krahinat që kanë shpallur në mënyrë të njëanshme autonomi të shkëputen, por qeveria e Kievit e kundërshton këtë. Ukraina gjithashtu kërkon anëtarësim sa më të shpejtë në NATO, pasi e sheh aleancën ushtarake perëndimore si të vetmen mundësi për t’u mbrojtur nga Moska.