Gazetari Spartak Koka thotë se lista e publikuar nga hakerat iranianë me personat e dyshuar të policisë, nuk i përket sistemit MEMEX të Policisë Shqiptare, por i ngjan më shumë sistemit të Deep Sea.
Gazetari u shpreh në “Opinion” se nëse hakerat kanë arritur të marrin sistemin MEMEX dhe e publikojnë në rrjetet sociale, atëherë e gjithë puna 25-vjeçare e Policisë së Shtetit do të shkatërrohet.
“Në rast se publikohet MEMEX, uroj që të mos publikohet dhe të mos ketë pasur qasje, i bie që e gjithë organizata e policisë për 25 vite punë kriminale të rrëzohet dhe gjithçka të bëhet publike. Dhe këtu të parët që do të cënohen janë informatorët, të dytët do të jenë specialistët e policisë të cilët të detyruar nga puna e përditshme operative që bëjnë kanë dhënë informacione dhe ne e dime në jo pak raste kur edhe janë dekonspiruar informacionet brenda policisë ka patur përplasja, ka patur hakmarrje ndaj këtyre personave që i kanë dhënë”.
Gazetari tregoi edhe kur ka nisur funksionimin për herë të parë sistemi MEMEX.
“Sistemi i menaxhimit të informacionit është vënë për herë të parë, MEMEX, në vitin 2008 nga 23 Marsi dhe që në atë kohë ka patur vazhdimisht përditësime, por struktura e sistemit nuk ka ndryshuar. Vetëm nëpërmjet aksesimit të këtij sistemi krijon profilizimin tip të personit”, është shprehur Koka.
Gazetari Spartak Koka theksoi se në listat që kanë dalë sot ka edhe persona që nuk janë me precedent kriminal, por janë edhe kallëzuesit apo të kallëzuarit.
Ndërsa gazetari Artan Hoxha tha se lista me persona të dyshuar në Shqipëri që u publikua sot nga hakerat iranianë, nuk dihet saktësisht nëse sistemi MEMEX i Policisë së Shtetit.
Hoxha u shpreh se kjo listë nuk është e manipuluar, por janë të dhëna të vitit 2010 e në vijim.
“Në atë link ishte dhe problemi që nëse hyn mund të të hakerojnë dhe ty. Frika bën të vetën. Problemi nga ajo që pashë tek ai informacion, ato janë të dhëna të cilat dyshimi që është thënë që në fillim, janë nga MEMEX apo jo, sigurisht që MEMEX ka të dhëna të tjera më të detajuara. Ne nuk dimë saktë cili është niveli… Që ajo nuk është e manipuluar, atë harroje. Një rubrikë e ngjashme e personave të dyshuar e ka sistemi TIMS. Ka një rubrikë të veçantë, që në një moment të caktuar kur janë mbajtur këto të dhëna, këto të dhëna janë nga 2010 e mbrapa, dyshimi është fakti që ende sipas tyre këto të dhëna janë marrë nga MEMEX”.
Artan Hoxha tregon edhe se çfarë është sistemi MEMEX i policisë.
“MEMEX është kartoteka dixhitale e Policisë së Shtetit. Është një rrjet i brendshëm i policisë ku ka të dhëna për persona të dyshuar dhe kohë pas kohe punonjësit e policisë hedhin të dhëna të reja që vijnë, i mbivendosen. Nuk hyn dot kollaj atje, kushdo që hyn lë gjurmë”.
Por gazetari Artan Hoxha ngre edhe alarmin se hakerat iranianë kanë hyrë edhe në serverat e Bankës Qendrore të Shqipërisë.
“Ditën e parë kur janë paraqitur të dhënat që janë hakeruar serverat, nuk e di pse nuk është komentuar, por në një video unë kam parë serverat e institucioneve zyrtare shqiptare që janë goditur nga hakerat iranianë. Midis tyre që në atë video janë të institucioneve kryesore, por midis të tjerave është regjistri bankar i Bankës Qendrore të Shqipërisë. Ata kanë nxjerrë një listë të serverave që sipas tyre i kanë sulmuar. Dhe në atë listë janë të listuar një pjesë e serverave. Ne nuk dimë çfarë kanë marrë”.