Shtyhet për në 10 shtator seanca për shqyrtimin e kërkesës për ekstradimin e shtetasit rus, Rasul Mislaev, i arrestuar në Tiranë me 12 korrik për terrorizëm.
Avokati i 34-vjeçarit ka kërkuar më shumë kohë për tu njohur me dosjen e klientit të tij, ndërsa vetë 34-vjeçari në seancën e sotme pati këtë kërkesë për trupën gjykuese.
“Mos më deportoni në Rusi, se atje do të më vrasin”.
Ndalimi i tij u bë në qendrën e mbyllur të emigrantëve të paligjshëm në Karreç të Vorës, nga drejtoria e Antiterrorit e policisë së shtetit.
Mislaev është pjesë e grupit terrorist ISIS, që nga viti 2013, kur është larguar nga Rusia për në Siri. Ai është i është bashkuar grupit, duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.
Ai kishte hyrë në Shqipëri si emigrant i paligjshëm nga Greqia para 1 viti por ishte ndaluar në doganën e Kakavijës, për kalim të paligjshëm kufiri. Që në momentin që është ndaluar është mbajtur në qendrën e mbyllur të emigrantëve të paligjshëm.
Gjatë kohës që mbahej në qendrën e emigrantëve të paligjshëm kanë nisur hetimet për identifikimin e tij apo lidhjet që mund të kishte me ndonjë grup pasi dyshimet për terrorizëm ekzistonin që në atë moment.
Gjithashtu mësohet se gjatë kohës në qendrën e emigrantëve, punonjësit e sigurisë kanë gjetur rrjetën dhe kangjellat e dritares së tij të prera, dhe prej asaj dite ruhej me truprojë, pasi kishte dyshime se mund të rrëmbehej nga terroristët ose të vritej pasi konsiderohej si kryesor në luftën e ISIS.