Punonjësit e Policisë së Shtetit po i nënshtrohen testit të drogës javët e fundit pas urdhrit të firmosur nga drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano, ndërkohë që përdorues deri tani rezultojnë 48 prej tyre.
Përveç efektivëve nga rrethet, rreth 100 punonjës të 6 komisariateve të Tiranës i janë nënshtruar analizave nëse kanë konsumuar lëndë narkotike.
Nga këto efektivë të cilët shërbejnë në repartet dhe sektorët që kanë më tepër kontakt me qytetarët, 20 prej tyre kanë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike në komisariatet e Tiranës.
Ndërkaq analizat kanë nxjerrë zbuluar edhe 11 punonjës të policisë së Shkodrës dhe dy oficere të policisë së Elbasanit.
Ndërkohë, 15 efektivë kanë dalë pozitiv në testin e drogës që janë bërë në drejtorinë vendore të policisë së Vlorës.
Referuar burimeve jo zyrtare, disa prej tyre e kanë kontestuar përgjigjen e dhënë me arsyetimin se mund të jetë një gabim i laboratorit privat në kryerjen e ekzaminimeve.
Për këtë arsye një pjesë e efektivëve të përjashtuar mësohet se do ta kundërshtojnë vendimin në dyert e gjykatave.
Në urdhrin për testin e drogës përcaktohet se çdo efektiv do ti nënshtrohej 2 analizave të gjakut dhe urinës me qëllim kryqëzimin e rezultateve për shmangien e ndonjë gabimi apo pasaktësie.
Kjo mënyrë e të kryerit të testin është pasi analiza e urinës vërteton praninë e substancave narkotike për një periudhë 5 ditore, ndërsa e gjakut mund të identifikojë përdoruesit maksimumi deri në dy javë.
Përveç efektivëve të rolit bazë, testi është zbatuar edhe te oficerët me grada të larta, por përgjigjet ende nuk është bërë zyrtare.
Lista me emrat e parë do të jetë gati para konferencës së përbashkët të policisë shqiptare më misionin italian të Guarda di Finanza në Shqipëri.