Kryesore “Në Shqipëri kemi krijuar verë që në epokën e bronzit…”, Rama në...

“Në Shqipëri kemi krijuar verë që në epokën e bronzit…”, Rama në Beograd: Pse hoqa dorë nga fjalimi i përgatitur

Në Beograd ka nisur zyrtarisht panairi i verërave ku marrin pjesë 333 ekspozues. Ky panair është i pari që mbahet pas marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, presidenti serb Vuçiç, kryeministri në detyrë i Malit të Zi Abazoviç e zyrtarë të tjerë marrin pjesë në panairin e verës.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryeministri shqiptar u shpreh se Ballkani i Hapur është një projekt paqeje.

Sipas Ramës, vendet e Ballkanit, të cilat i krahasoi me një lagje të vogël të Europës, tha se është koha për të bashkuar qytetarët dhe jo për t’i kthyer krahët njëri-tjetrit.

“Përpara se sa të vija këtu po shikoja pak fjalën që më kishte përgatitur ekipi im edhe vendosa që të mos e përdor sepse fillonte me shprehjen që ne në Shqipëri kemi krijuar verën e parë në Ballkan që në epokën e bronzit. Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por di që kemi humbur shumë kohë duke u përpjekur t’i tregojmë njëri-tjetrit se kush ka qenë i pari, kush është më i vjetri. Ndërkohë që një gjë e kemi mësuar të gjithë që asnjë prej nesh nuk do shkojë diku tjetër. Të gjitha vendet tona janë këtu për të qëndruar edhe pas nesh, edhe shumë e shumë vite e shekuj pas nesh. Si të qëndrojë këtu në këtë vend duke qenë të gjithë së bashku në të njëjtën lagje të Europës? Besoj që edhe në këtë panair është e qartë që më mirë kështu së bashku duke afruar njerëzit se sa ashtu siç kemi qëndruar më parë me kurriz nga njëri-tjetri dhe me shumë konflikte dhe luftëra në mes. Sot këtu janë 22 prodhues nga Shqipëria ndërkohë që në Shqipëri çdo vit rritet me 10% sipërfaqja e vreshtave. Jam i bindur që ky panair do nxisë edhe plot të tjerë që të përshihen në këtë aktivitet. Sot ne kemi një vëllim tregtar mes tre vendeve tona i cili është nga afro 60 milionë në afro 100 milionë. 36 milionë Euro më shumë se sa vetëm 1 vit më parë. Ashtu sikundër eksportet shqiptare me Serbinë janë rritur vitin e fundit afro 30%. Po kështu edhe me Maqedoninë e Veriut, pak më pak po afro 30%. Të gjitha këto të dhëna na mjaftojnë për ta çuar përpara këtë nismë, që nuk është nismë jonë por është nisma për njerëzit.

Ballkani i Hapur është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, i një vizioni të përbashkët për të ardhmen që kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e të shkuarës”, u shpreh Rama.

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Vuçiç, vlerësoi punën e bërë për organizimin e panairit të verës.

“Qindra njerëz investuan përpjekje të jashtëzakonshme, punë, energji. Janë këta njerëz që kanë punuar ditë e natë për të organizuar këtë eveniment kështu siç është. Ka pasur nga ata që kanë qenë kundër kësaj. Për arsye të ndryshme politike shumë njerëzve nuk u pëlqeu kjo ide, por nuk mund të fitosh diçka që vjen natyrshëm. Kjo na ka sjellë më pranë njëri-tjetrit. Është në interesin tonë. Ballkani i Hapur nuk i ka sjellë asgjë të keqe askujt. Do vijojmë të punojmë për Ballkanin e Hapur”, tha Vuçiç.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se ky panair i verës do të shërbejë edhe për të vendosur kontakte me biznese të tjera ndërkombëtare.

“Sot kemi mundësi të barabarta për të paraqitur në këtë panair produktet dhe mundësi e madhe për kontakte biznesi në nivel ndërkombëtar. Marrëveshje të reja, duke investuar dhe u zgjeruar. Shpresoj që ky panair të shndërrohet në traditë dhe të ofrojë gjithmonë e më shumë mundësi bashkëpunimi”.