Kjo javë do të mbyllet me temperaturë mbi normalen, pavarësisht vranësirës, e cila prej ditës së enjte ka mbizotëruar në vendin tonë.
Sinoptikani Hakil Osmani shprehet se fundjava dhe ditët në vijim do të kenë temperatura të larta për shkak të të nxehtit afrikan që e ka origjinën nga Saharaja.
Hakil Osmani: “Këto temperatura nuk janë normale për muajin që ndodhemi, por si pasojë e ndikimit të masave ajrore nga veriu i kontinentit afrikan kanë bërë që këto vlera termike të shkojnë shumë më lart sesa vlerat normale të muajit ku ndodhemi. Po ashtu gjatë fundjavës pritet të kemi dominim të vranësirave edhe pse herë pas here do të kemi kthjellime të pakta me të dukshme këto në zonat lindore”.
Vranësirat dhe temperaturat e larta do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa pritet një rënie e intensitetit të erës.
Hakil Osmani: “Duke filluar nga orët e mesditës së ditës së sotme pritet që parametri i erës të dobësohet, duke bërë që të jetë me shpejtësi mesatare në det të hapur”.
Situata do të ndryshojë vetëm mesin e javës së ardhshme, ku do të ketë ulje të temperaturave dhe përkeqësim të kushteve atmosferike.
Nga e mërkura pritet që në vendin tonë të ketë reshje shiu, ndërsa temperatura do të pësojë ulje deri në 28 gradë, pavarësisht se edhe kjo është mbi vlerën normale të muajit ku ndodhemi.