Kryesore Në vetëm dy javë 34 viktima, qytetet me raste aktive, Tirana si...

Në vetëm dy javë 34 viktima, qytetet me raste aktive, Tirana si Lombardia

Kanë kaluar 18 javë që pas zbulimit të rastit të parë të infektuar me Covid-19 në vendin tonë. Sot shifra në total e të infektuarve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ka shkuar në 3 667 raste nga 33 389 testime të kryera në total.

Dy javët e fundit, Shqipëria po përballet me një numër të lartë infektimesh ditore, si dhe viktimash. Vetëm dy javët e fundit, nga data 1 Korrik dhe deri më 14 Korrik, në vendit tonë janë shënuar rreth 1 130 infektime të reja dhe 34 viktima. Mosha mesatare është 60 vjeç. Në total, që prej nisjes së pandemisë, numri i viktimave është 97.

Bazuar në njoftimet zyrtare nga MSH, viktimat që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në muajin korrik, kanë qenë mes moshës 45 deri në 86 vjeç.

Prej fillimit të korrikut, përjashtuar vetëm datës 9 ku nuk është shënuar asnjë viktimë, të gjitha ditët e tjera kanë regjistruar 2 deri në 4 viktima në ditë.

Aktualisht rastet aktive janë 1 508. Në qarkun e Tiranës janë 672 raste.

Tirana është kthyer si rajoni i Lombardisë në Itali, pasi dyfishi i rasteve ditore vjen pikërisht nga kryeqyteti.

Pas Tiranës vjen qarku i Durrësit 219 raste, Shkodrës 190, Vlorës 97, Lezhës 77, Kukësit 51, Korçës 46, Beratit 40, Elbasanit 39, Fierit 36, Gjirokastrës 22 dhe Dibrës 19.

Në të gjitha daljet për mediat, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe të Institutit të Shëndetit Publik, bëjnë apel për zbatim të masave parandaluese të Covid-19, përfshirë mbajtjen e duarve të pastra dhe mosprekjen e fytyrës, ruajtjen e distancave fizike në ambiente publike, vendosjen e maskave apo barriera mbrojtëse, si dhe shmangien e grumbullimeve me shumë njerëz si një rrezik potencial infektimi.