18 vite më vonë, gjithçka duhej të kishte ndryshuar. Në të vërtetë, jo: gjithçka është si më parë. Nedved dhe Buffon janë ende së bashku, duke u përpjekur të sjellin trofe të tjerë në “palmaresin” e pafund të Juventusit.
Në vitin 2001, ata, që më pas u shndërruan në dy elementë thelbësorë të historisë bardhezi, mbërritën në të njëjtën periudhë, në të njëjtën fushatë faraonike blerjesh, që në dalje kishin parë të ndryshonin fanellë Zinedine Zidane dhe Pippo Inzaghi.
Pavel u mor nga Lazio për 75 miliardë lira italiane, ndërsa Gigi mbërriti për rreth 100 miliardë lira nga Parma, skuadër e cila, ndër të tjera, shiti edhe Lilian Thuram te Juventusi. Këtë herë, nga ana tjetër, Nedved në post ekzekutivi bëri që Gigi të nënshkruante kontratën e tij të fundit të karrierës si futbollist, ndërsa vitin e ardhshëm do t’i bashkohet çekut në zyrë.
RRUGË PARALELE
Nedved dhe Buffon. Dy rrugë paralele, që i panë ata si protagonistë në fushë (madje edhe në sezonin e vështirë, në Serie B). Së bashku, ata fituan dy kampionate (2001-2002 dhe 2002-2003), dy Superkupa Italiane (2002 dhe 2003). Së shpejti, gjithashtu, do të punojnë në të njëjtën tavolinë. Po, sepse portieri u kthye në Torino në moshën 41-vjeçare për të kërkuar emocionin e fundit të fortë në fushë, para se të hidhet në aventurën menaxheriale, në të cilën do ta ketë në krah çekun.
Nedved, që nga viti 2015 është zv.president i Juventusit. Futbollin e luajtur e la më 2009. Të njëjtën zgjedhje, për ta mbyllur te Juve, ka bërë edhe Buffon. Legjenda e portës italiane, pas periudhës së shkurtër pariziene, që zgjati vetëm një sezon, u kthye në shtëpinë e tij, me një pagë të lehtësuar (1.5 milionë euro, plus bonuse), pa shiritin e kapitenit, pa numrin 1, për të bërë zëvendësin e Szczesny.
Me një qëllim dhe një ëndërr. E para lidhet me thyerjen e rekordit të ndeshjeve në Serie A (i duhen edhe 8 prezenca në fushë, që të parakalojë Paolo Maldini, lider me 647 ndeshje), ndërsa e dyta ka të bëjë me Champions-in, me të cilin ka flirtuar në tri finale të humbura.