Politika Negociatat, Balla: Deri në samitin e Zagrebit do të ketë reflektim

Negociatat, Balla: Deri në samitin e Zagrebit do të ketë reflektim

Nisur nga situata kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk patën një përgjigje pozitive nga Këshilli i Europës, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se të dy vendet e meritonin plotësisht dhe duhet të mos humbin aspak kohë por të vazhdojnë me reformat e nisura.

Balla  u shpreh besimplotë se deri në samitin e Zagrebit, do të ketë reflektim nga vendet skeptike.

“Por unë besoj se do të ketë reflektim dhe se deri në Samitin e Zagrebit për Vendet e Ballkanit Perëndimor në Maj 2020, me siguri Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nisim bisedimet për anëtarësim”, tha Balla.

Duke vlerësuar vendimin e Bundestagut gjerman dhe detyrat e lëna, Balla nënvizoi si një çështje të rëndësishme ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kryetari i Grupit të PS-së tha se brenda dhjetorit do të miratojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

“Brenda dhjetorit të këtij viti ne do të kemi miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Meqenëse në këtë tryezë ka përfaqësues të shumicës por edhe të opozitës parlamentare, unë dua të shpreh nevojën që Shqipëria, brenda dhjetorit të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor”, theksoi Balla.