Greqia kërkon çelje të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut. Ministri i Jashtëm plotësues i vendit fqinj, Miltiadis Varvitsiotis foli për çështjen e zgjerimit, gjatë një fjalimi para komisionit parlamentar për punët e jashtme dhe mbrojtjen kombëtare.
“Duke qenë se elementi shqiptar është i përhapur në të gjithë rajonin, veçimi dhe hapja e negociatave vetëm me njërin prej kandidatëve, mund të destabilizojë situatën në kufijtë tanë verior. Për këtë arsye, vendi ynë, konsideron se vendimi për hapjen e negociatave për të dyja vendet duhet të merret në të njëjtën kohë”, tha Miltiadis Varvitsiotis, ministër i Jashtëm plotësues i Greqisë.
Ai tha se Greqia e ka mbështetur gjithmonë integrimin e Ballkanit Perëndimor, të cilin e konsideron si thelbësor për arritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitet për rajonin e gjerë.
Megjithatë, ministri i Jashtëm plotësues shtoi se mbështetja greke për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor është e lidhur në mënyrë të pandashme me respektimin e kushteve të forta, si dhe me performancën e secilit prej vendeve kandidate.