“Çdo rrugë e njëanshme që synon imponimin ndaj një pjese demokrate që mendon ndryshe nuk do të ishte zgjidhje për hallin tonë të përbashkët; sesi do të mundim Ramën”. Kështu deklaroi deputeti Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat në krah të Alibeajt dhe pas takimit të parë negociator me Edi Palokën për zgjedhjet lokale 2023. Duke e vënë theksin te kandidati i përbashkët, ai tha se ky proces dëmtohet nga njëanashmëria.
“Nuk do të zbardh në detaje atë që kam biseduar me zotin Paloka, dua të konfirmoj që takimi ka qenë konstruktiv dhe me frymë mirëkuptimi për të gjetur një mekanizëm që siguron bashkëpunim të sinqertë asnjëri nuk ka patur qëndrim për çështje të caktuara kemi shkëmbyer më tepër mendime. Njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces, demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe të bashkëpunojnë në mënyrë të sinqertë për të mundur Ramës. Këtë proces e dëmton njëanshmëria. Çdo rrugë e njëanshme që synon imponimin ndaj një pjese demokrate që mendon ndryshe nuk do të ishte zgjidhje për hallin tonë të përbashkët sesi do të mundim Ramën”, tha Bardhi.
Edhe kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj i mëshoi faktit për nevojën e një kandidati të përbashkët që përfaqëson të gjitha shtresat për të mundur Ramën. Sipas tij kjo arrihet nëse ekziston vullneti.
“Nevoja dhe interesi për të dalë me një kandidat të përbashkët është synim jo vetëm për të dalë me një kandidat, por për të dalë me një kandidat fitues dhe nevojës për t’i dhënë një fund regjimit të Ramës të jetë ai rreth të cilit të mblidhen të gjitha flukset, jo vetëm të demokratëve. Ky ka qenë synimi. Synimi përcakton instrumentin që t’i shërbejë këtij qëllimi. Mënyrat janë pafund që mund të gjenden me dashamirësi e vullnet të mirë”, u shpreh Alibeaj.
Sot u zhvillua takimi i parë mes Edi Palokës dhe Gazmend Bardhit për të gjetur zgjidhjen që do të mundësojë daljen e PD me një kandidaturë të vetme në zgjedhjet e ardhshme lokale. Negociatat e para u mbyllën pa vendim, me qëllimin për t’i vijuar në ditët në vijim.