Ish-ministri i Jashtëm, historiani Paskal Milo tha në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH 1, se negociatat që po zhvillohen mes Shqipërisë dhe Greqisë mund t’i japin zgjidhje disa çështjeve të karakterit historik, ndërsa të tjera do të vazhdojnë të mbeten pezull.
“Ka shanse që të arrihet parimisht marrëveshja për heqjen e ligjit të luftës dhe do të detajizohet edhe marrëveshja e nënshkruar nga qeveria e z.Berisha para disa vitesh për varrëzat e ushtarëve grek. Nuk mendoj se do të zgjidhet as çështja e kufirit detar dhe jo e jo, çëshja çame”, u shpreh Milo.
Ligji i luftës i mbajtur ende në fuqi nga pala greke lidhet edhe edhe me çështjen e pronave të shqiptarëve në territorin grek.
Studiuesi Ksenofon Krisafi tha në emisionin #Përballë se heqja e ligjit të luftës do të duhej të shoqërohej edhe me amendimin e një ligji grek të vitit 1998, që lidhet me regjistrimin kadastral.
“Shqiptarët nuk e patën mundësinë të bënin regjistrimin e pasurive të tyre atje në kadastra sipas kërkesave të ligjit të vitit 1998, as edhe të bënin procese gjyqësore dhe t’i ndiqnin ato deri në instancat e fundit. Kështu që duhet patjetër të amendohet edhe ky ligj sepse përndryshe rënia e ligjit të luftës nuk do të ketë efekt praktike”, tha Krisafi në emisionin #Përballë.
Pak pritshmëri nga negociatat Shqipëri-Greqi ka ish- ministri i Jashtëm, deputeti i PD-së, Tritan Shehu.
Ai fajëson qeverinë se me retorikën politike gjatë 4 viteve të fundit ka dëmtuar marrëdhëniet me Greqinë.
“Bisedimet janë të domosdoshme dhe unë i inkurajoj bisedimet, por unë personalisht nuk kam ndonjë pritshmëri, ashtu si nuk kishte as për Kretën, sepse problem i dëmtimit të marrëdhënieve në këto 4 vite kërkon një përgjegjësi, kërkon një analizë dhe pastaj mund të futen në rrugën e normalitetit. Dhe unë jam I bindur në një gjë, që sot pozitat e Shqipërisë në bisedime me Greqinë janë shumë më të dobëta se 8, 9apo 10 vite më parë”, tha Shehu.
Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë në një situatë paradoksale. Mes dy shteteve nuk ka kufij të njohur zyrtarisht, ka në fuqi një ligj lufte nga ana e shtetit grek, por kemi edhe një traktat miqësie. Ndërkohë që të dy vendet janë anëtare të NATO-s.