Ka përfunduar raundi i dytë i takimit dypalësh midis negociatorëve të Ukrainës dhe Rusisë që u zhvillua këtë të enjte në kufirin me Bjellorusinë.
Këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak deklaroi se palët nuk kanë arritur në një marrëveshje përfundimtare.
Ai theksoi se është rënë dakord vetëm për krijimin të korridoreve humanitare dhe vendosjen e një armëpushimi të përkohshëm për evakuimin e qytetarëve.
Pala ukrainase tha se në bisedimet e sotme nuk kishin arritur rezultatet e dëshiruara, duke qenë se kishin shkuar në këtë takim me shpresën se do të arrinin armëpushim të plotë dhe tërheqjen e Rusisë. Megjithatë dakordësia e sotme mund të jetë një hap pozitiv.
“Në raundin e dytë të bisedimeve me Rusinë, Ukraina nuk mori rezultatet që shpresonte”, deklaron Podoliak.
Zyrtarët kanë rënë dakord që së shpejti të mbajnë një raund të tretë bisedimesh.
Detaji interesant në takim ishte edhe veshja e zyrtarëve. Rusët ishin të gjithë me kostume zyrtare, ndërsa ukrainasit që vijnë nga fronti i luftës me veshje jo formale.